Erdal Türkoğlu,İzzet Mazi
03 Shkurt 2018•Përditësim: 04 Shkurt 2018
HATAY/KİLİS (AA) – Në sulmet me raketa, predha dhe mortaja drejt Kilisit dhe Hatayit në Turqi nga anëtarët e organizatës terroriste PYD/PKK të cilët kanë okupuar rajonin e Afrinit në Siri, kanë humbur jetën 7 persona ndërsa 107 të tjerë në mesin e të cilëve edhe fëmijë, janë plagosur, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë, vazhdon operacioni "Dega e Ullirit" i nisur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) në bashkëpunim me Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS) më 20 janar, për shkatërrimin e objektivave terroriste në rajonin Afrin të Sirisë.
Pasi forcat turke u dhanë një goditje të rëndë terroristëve nëpërmjet sulmeve ajrore dhe tokësore mbi Afrin, terroristët e PYD/PKK filluan sulmet me raketa ndaj civilëve në Hatay dhe Kilis.

Që nga ditët e para të operacionit, terroristët kanë shkrepur 88 raketa dhe dy predha mortaje ndaj civilëve në Turqi. Ata kanë kryer 34 sulme në qendrën e qytetit Kilis dhe 56 sulme në qarqet Reyhanli, Hassa dhe Kirikhan të Hatayit.
Në sulmet ku në objektiv u morën civilët, kanë humbur jetën 7 persona, dy prej tyre me prejardhje siriane. Ndërsa 107 persona janë plagosur, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë.
Në sulmet me raketë në Reyhanli, kanë humbur jetën 17 vjeçarja Fatma Avlar, refugjati sirian Nadir El Fares, Rifat Sinirli dhe Ahmet Shanverdi, kurse për shkak të sulmit me predhë mortaje në Kirikhan ka humbur jetën Shahin Elitash kurse 68 persona të plagosur janë dërguar në spitale.
Në sulmet terroriste në Reyhanli kanë pësuar dëme 320 shtëpi dhe disa lokale ndërsa 33 automjete janë në gjendje të papërdorshme. Dëmet zakonisht janë shënuar si thyerje të xhamave.
- 34 sulme me raketë në Kilis
Gjatë operacionit edhe qendra e qytetit Kilis u bë cak i terroristëve të PYD/PKK-së. Terroristët kanë shkrepur 34 raketa në pika të ndryshme të qytetit, mes tyre edhe në një xhami.
Në sulmet terroriste nga Afrini në Kilis humbën jetën rrobaqepësi Muzaffer Aydemir (72) dhe Tarik Tabbak me prejardhje nga Siria (28) ndërsa 39 të tjerë u plagosën.
Si pasojë e raketave të shkrepura dëme pësuan 9 shtëpi, një xhami dhe 12 automjete.