Ekip
16 dhjetor 2019•Përditësim: 16 dhjetor 2019
Ushtria libiane ka mohuar raportet e rënies së menjëhershme të kryeqytetit Tripoli në duart e forcave të udhëhequra nga komandanti Khalifa Haftar, raporton Anadolu Agency (AA).
"Situata në terren akoma është në favorin tonë", thotë për AA, zëdhënësi i ushtrisë, Mohamed Qanunu.
"Megjithatë, civilët po vuajnë si rezultat i bombardimeve ajrore nga krimineli i luftës Haftar", tha ai.
Në fillim të prillit, forcat besnike të Haftarit filluan një fushatë për të marrë Tripolin nga forcat e Qeverisë e Pajtimit Kombëtar (QPK) e njohur nga OKB-ja.
Qanunu ka akuzuar Haftarin për përdorimin e mercenarëve nga Afrika dhe Rusia në sulmet e tij ndaj Tripolit.
"Janë kryer krime kundër civilëve në Tripoli dhe në periferitë e tij në muajt e fundit", tha ai.
Muajin e kaluar, Turqia dhe Libia nënshkruan dy memorandume të bashkëpunimit, një për bashkëpunim ushtarak dhe një tjetër për kufijtë detarë të shteteve në Mesdheun Lindor.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Ankaraja mund të shqyrtojë dërgimin e trupave në Libi, nëse QPK e bën një kërkesë të këtillë.
"Mbështetja logjistike do të jetë e mjaftueshme për ne në çështje të kufizuara, në përputhje me marrëveshjet e bëra midis QPK-së dhe Ankarasë", tha Qanunu.
Libia është përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur kryetari shumëvjeçar Muammar Gaddafi pas katër dekadash në pushtet u përmbys dhe u vra në një kryengritje të përgjakshme të mbështetur nga NATO.