Şenhan Bolelli
08 Tetor 2017•Përditësim: 09 Tetor 2017
BARCELONË (AA) – Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy në lidhje me çështjen e Katalonjës tha se do ta parandalojnë shpalljen e pavarësisë. Ai tha se Spanja nuk do të ndahet dhe se do të vazhdojë uniteti kombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rajoy në një intervistë për gazetën "El Pais" lidhur me krizën tha se: "Do ta parandalojmë shpalljen e pavarësisë. Spanja nuk do të ndahet, do të vazhdojë uniteti kombëtar. Për këtë do t’i përdorim të gjitha kompetencat që na ofron ligji. Vendimmarrja është punë e shtetit dhe këtë do ta bëjmë në kohën më të pështatshme duke vepruar në mënyrë të qetë. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Mund të themi shumë qartazi se pavarësia nuk do të ndodhë. Qeveria do të vazhdojë të marrë vendime përderisa kërcënimi i deklarimit të pavarësisë nuk do të eliminohet plotësisht nga ambienti politik”.
Ai e kundërshtoi propozimin për “ndërmjetësim” të kreut të Qeverisë së Administratës Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemon për zgjidhjen e krizës.
“Në asnjë vend të botës nuk ka ndonjë shtet i cili mund të flasë për unitetin e shtetit të tij dhe kërcënimet lidhur me këtë. Asgjë nuk mund të ndërtohet me shantazhe. Një gjë duhet ta themi haptazi. Përderisa nuk eliminohen kërcënimet kundër unitetit kombëtar asgjë nuk mund të ndërtohet. As në Spanjë e as në asnjë vend tjetër të botës. Disa mendojnë se qeveria do të negociojë kundër kërcënimit të ndarjes? Kjo në të njëjtën kohë është një luftë e Evropës. Ka një luftë të vlerave të Evropës. Ne duhet të fitojmë”, tha kryeministri spanjoll, Rajoy.
Duke iu refereruar negociatave të ndihmave për shpëtim, e cila ishte në rend të ditës në vitin 2012 për shkak të krizës ekonomike në Spanjë, Rajoy thotë se “Në vitin 2012 Spanja kishte luftën e euros (kriza ekonomike). Ne evropianët e fituam këtë luftë. Tani është lufta për vlerat e Evropës dhe ne duhet ta fitojmë edhe këtë”.
Ai rikujtoi se Evropa ka lindur me Marrëveshjen e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe të Çelikut dhe me Marrëveshjen e Romës. Rajoy shton se projekti i Evropës së Madhe është ndërtuar duke e tejkaluar gjendjen pas dy luftërave botërore.
“Kjo është bërë që të mos përjetohen luftëra tjera dhe për krijimin e një Evrope e cila bazohet në vlerat si respektimi i ligjeve, shtetit ligjor, liria dhe demokracia, si dhe ku sigurohet zhvillimi ekonomik dhe ai social. Në vitet e fundit shihet se ka kundërshtues të këtyre vlerave evropiane. Populizmi ndodhet kudo. Ne e pamë rastin me Brexit-in dhe daljen në shesh të personaliteteve të së djathtës ekstreme si Le Pen ose Farage. Kurse te ne doli në shesh populizmi nacionalist, i cili është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe shtetin ligjor", tha Rajoy.
"Për këtë arsye kjo në të njëjtën kohë është një luftë e Evropës dhe do ta fitojë edhe këtë. Besoj se Evropa da ta vazhdojë qëndrimin e saj të deritanishëm për mbrojtjen e unitetit të kombeve, të kushtetutave të shteteve dhe të respektimit të ligjeve”, shtoi Rajoy.
Lidhur me atë se më 10 tetor ditën e martë Këshilli i Përgjithshëm i Parlamentit Lokal të Katalonjës do të mblidhet me thirrjen e kreut të Qeverisë së Administratës Autonome të Katalonjës Puigdemont, Rajoy tha: “Gjithçka varet nga qëndrimi i kreut të Katalonjës. Tani e vetmja arsye e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm shihet se është diskutumi i gjendjes politike në Katalonjë. Në rend të ditës nuk është deklarimi i pavarësisë. Për momentin nuk ka një gjë të tillë”.