Mehmet Burak Karacaoğlu,Eşref Musa,Adham Kako
29 Janar 2020•Përditësim: 29 Janar 2020
Forcat e regjimit të Bashar al Asadit të mbështetur nga Rusia marrin plotësisht nën kontroll Maarat Al-Numan, një prej rretheve më të mëdha të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).
Të përbërë nga ushtria e regjimit të Asadit dhe grupet e huaja terroriste me mbështetje iraniane, forcat e regjimit vazhdojnë të përparojnë në pjesën jugore dhe juglindore të Idlibit.
Qendra e rajonit Maarat Al-Numan kaloi nën kontrollin e forcave të Asadit pas konflikteve të ashpra mes forcave të regjimit dhe opozitarëve si dhe grupeve të armatosura kundër regjimit.
Forcat e regjimit me mbështetjen ajrore të Rusisë, kishin rrethuar qendrën e Maarat Al-Numan, një prej rretheve më të mëdha të Idlibit duke marrë nën kontroll brenda ditës 15 vendbanime në juglindje të Idlibit.
Rëndësia e Maarat Al-Numan
Një prej rajoneve më të mëdha të Idlibit, Maarat Al-Numan kaloi nën kontrollin e opozitarëve në tetor 2012.
Rreth 300 mijë civilë që jetonin në këtë rajon para fillimit të luftës së brendshme, migruan si pasojë e sulmeve të ndërmarra që nga nëntori 2019 nga regjimi dhe mbështetësit e tij.
Ky rajon ndodhet në jug të Idlibit në një largësi prej 40 km nga qendra e qytetit dhe njihet si një vendbanim historik në të cilin ndodhen struktura të periudhës osmane si hane, xhami dhe medrese.
Rruga M5 e cila kalon brenda rajonit dhe e cila nëpërmjet Halep-Idlib-Hama-Homs-Damask zgjatet deri në Jordani e rrit edhe më shumë strategjinë e Maarat Al-Numan.
Nuk u zbatuan marrëveshjet e Astanas dhe Soçit
Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre. Si pasojë e sulmeve, qindra mijëra civilë u zhvendosën në veri në pjesët pranë kufirit me Turqinë.
Sulmet e Rusisë vazhduan edhe pak kohë pas marrëveshjes së nënshkruar me Turqinë më 17 shtator 2018 në qytetin Soçi të Rusisë. Sulmet e Rusisë, regjimit dhe terroristëve me mbështetje iraniane të cilat kishin në objektiv rajonin e deeskalimit në Idlib, që nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani shkaktuan zhvendosjen e rreth 1,3 milionë civilëve në zonat pranë kufirit me Turqinë. Ndërkohë, nga bombardimet thuhet se kanë humbur jetën mbi 1.600 civilë.