Fuat Kabakcı
29 Janar 2020•Përditësim: 30 Janar 2020
Si pasojë e shpërthimit të koronavirusit të ri (2019-nCoV) në Kinë, numri i të vdekurve është rritur në 132 persona ndërsa janë prekur 5.974 të tjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë njoftoi se nga epidemia 2019-nCoV e përhapur në të gjithë vendin përveç rajonit të Tibetit, kanë humbur jetën 132 persona ndërsa janë prekur 5.974 të tjerë nga të cilët 239 në gjendje të rëndë.
Ndërkohë është rritur në 9.239 numri i personave për të cilët dyshohet se janë të prekur nga virusi ndërsa janë vendosur nën kujdes 59.990 persona të cilët kanë kontaktuar me personat e prekur nga virusi. Deri më sot kanë marrë trajtim dhe kanë dalë nga spitali 103 persona të cilët janë shëruar paraprakisht.
Numri i personave të prekur nga virusi në rajonet administrative speciale të Kinës në Hong Kong ka arritur në tetë ndërsa në Macau shtatë.
Në rajonin Hubei, i cili është edhe epiqendra e koronavirusit, thuhet se 3.554 persona janë nën ndikimin e virusit ndërsa 125 nga personat që kanë humbur jetën janë gjithashtu nga ky qytet.
Sipas të dhënave të platformës "Zhvillimet momentale të epidemisë së koronavirusit të ri në të gjithë vendin", virusi përveç Kinës është regjistruar edhe në 14 raste në Tajlandë, shtatë në Japoni, pesë në Singapor, pesë në SHBA, nga katër raste në Australi, Francë, Gjermani dhe Korenë e Jugut, tre në Malajzi, dy në Vietnam dhe nga një rast në Nepal, Kanada, Kamboxhia dhe Sri Lankë.
Koronavirusi i ri (2019-nCoV) për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në rajonin Hubei të Kinës. Simptomat e para të virusit nCoV janë me temperaturë të lartë, dhimbje fyti, kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe diarre, ndërsa në fazën e mëpasshme të avancuar shkakton penumoni dhe pamjaftueshmëri të veshkave dhe në përfundim mund të çojë në vdekje.