Ethem Emre Özcan
15 Tetor 2020•Përditësim: 15 Tetor 2020
ETHEM EMRE ÖZCAN
Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se regjimi i Bashar Al-Assadit nëpërmjet "gjykatës së terrorit" që ka formuar në korrik të vitit 2012 me qëllim për të eliminuar opozitarët (kundërshtarët), deri më sot ka dhënë vendime të dënimit me vdekje për të paktën 2.147 persona dhe ka konfiskuar edhe pasurinë e rreth 4 mijë të tjerëve, raporton Anadolu Agency (AA).
SNHR e cila dokumenton shkeljet e të drejtave kundër civilëve në Siri, ka ndarë me gazetarin e AA-së raportin që ka përgatitur për qëllimin dhe funksionimin e "gjykatës së terrorit" të formuar nga regjimi i Asadit.
Rrjeti, informacionet që ka paraqitur në raportin e tij i ka përgatitur nga mendimet e personave të gjykuar më parë nga kjo gjykatë ose nga familjarët e të gjykuarve.
Regjimi i Assadit, i cili ka masakruar dhe arrestuar qindra mijëra civilë në Siri, i sheh si "terroristë" kundërshtarët e tij politikë dhe ushtarakë.
Sipas raportit, "gjykata e terrorizmit" u formua në korrik të vitit 2012 nga regjimi i Assadit me qëllim kryesisht për likuidimin e kundërshtarëve.
Në gjykatën e cila është shndërruar si një autoritet gjyqësor i njësive të sigurisë, gjykohen në mungesë emra të opozitarëve që jetojnë në zonat nën kontrollin e opozitarëve ushtarakë ose jashtë vendit.
Njësitë e sigurisë të lidhura me regjimin, një pjesë të personave opozitarë që arrestojnë, pas torturave i dërgojnë në këtë gjykatë në mënyrë arbitrare.
Shumica e atyre që janë nxjerrë në gjykatën në kryeqytetin Damask nuk lejohen të komunikojnë me familjet dhe avokatët e tyre.
Vendime të dënimit me "vdekje" për të paktën 2.147 persona
Gjykata në përgjithësi dënon me vendime të rënda personat pa kundërshtuar dëshmitë e marra nën tortura dhe presione gjatë marrjes në pyetje në njësitë e sigurisë.
Sipas të dhënave të siguruara nga SNHR, gjykata që nga formimi i saj e deri tani ka shqyrtuar të paktën 90.560 çështje dhe ka dhënë vendime të dënimit me vdekje për të paktën 2.147 persona kundërshtarë të regjimit.
Janë sekuestruar pasuritë e rreth 4 mijë opozitarëve
Regjimi i Assadit i cili po përpiqet të eliminojë me burgim dhe dënime me vdekje kundërshtarët politikë dhe ushtarakë, duke mos u mjaftuar me këtë konfiskon edhe pasuritë e tyre.
Sipas raportit “gjykata terrorizmit” e regjimit deri më tani janë sekuestruar pasuritë e 3.970 opozitarëve.
Gjykata është bërë burim ryshfeti për elementët e regjimit
Gjykata është kthyer në një vend i përfitimeve të mëdha për gjykatësit dhe shefat e sigurisë të përfshirë në krime lufte.
Sipas raportit disa familje që janë në gjendje të mirë financiare, për të shpëtuar nga burgosja të afërmeve të tyre mbesin të detyruar t‘u japin ryshfete në sasi të mëdha gjyqtarëve dhe personave të sigurisë.
"Në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të njeriut"
Fadel Abdul Ghany, drejtori i SNHR në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se "gjykata e terrorizmit" e formuar nga regjimi kryen detyrën si një gjykatë politike-sigurie.
"Prania e kësaj gjykate dhe vendimet e marra prej saj, janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe me të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Të gjitha vendimet e kësaj gjykate janë të paligjshme dhe duhet të anulohen", deklaroi Abdul Ghany.
Sipas opozitarëve siriane në burgjet e regjimit të Assadit ndodhen rreth 500 mijë persona.