Nuran Erkul Kaya
07 Prill 2022•Përditësim: 08 Prill 2022
Kontratat evropiane të qymyrit vazhdojnë të rriten, duke arritur në 303 dollarë për ton të mërkurën, pasi Komisioni Evropian njoftoi ndërprerjen e importeve të qymyrit rus, transmeton Anadolu Agency (AA).
"API2 Rotterdam Coal Futures", pikë referimi për çmimet evropiane të qymyrit, u rrit për 12.5 për qind në 295 dollarë për ton të martën pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi në një deklaratë për ndalimin e importeve të qymyrit rus.
Çmimet ruajtën rritjen, duke arritur në 303 dollarë për ton me një rritje prej 4.5 për qind krahasuar me mbylljen e së martës.
Kontratat e së ardhmes së qymyrit për maj 2022 dhe qershor 2022 arritën në 325 dollarë, respektivisht 323 dollarë për ton.
Sipas institutit "Bruegel" me bazë në Bruksel, Bashkimi Evropian importoi 54 për qind të importeve totale të qymyrit nga Rusia në vitin 2020 ndërsa varësia e saj nga qymyri termik rus i përdorur për prodhimin e energjisë ishte 70 për qind.
Qymyri përbënte 15 për qind të prodhimit të energjisë elektrike të BE-së vitin e kaluar.