Hamdi Yıldız
07 Prill 2022•Përditësim: 07 Prill 2022
Qeveria e Jemenit ka bërë thirrje për mbështetje urgjente ekonomike për përpjekjet e saj për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe stabilitet në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç theksoi agjencia e lajmeve Saba, kryeministri i Jemenit, Maeen Abdulmalik Saeed, priti në takim nënkryetarin e Bankës Botërore për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Ferid Belhaj.
Gjatë takimit, Abdulmalik Saeed tërhoqi vëmendjen për faktin se vendi i tij po kalon një periudhë të vështirë ekonomike dhe u kërkoi "miqve dhe vëllezërve" ndihmë urgjente ekonomike për të mbështetur përpjekjet e qeverisë së Jemenit në situata humanitare.
Ai shtoi se themelet e paqes në Jemen janë stabiliteti ekonomik dhe vazhdimi i procesit të rimëkëmbjes.
Belhaj theksoi se Banka Botërore dëshiron të ofrojë mbështetjen e nevojshme për Jemenin për vazhdimin e procesit të reformës dhe të miratojë burimet financiare që do të forconin qeverinë e Jemenit.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), shumica e 30 milionë njerëzve po luftojnë për mbijetesë në Jemen, i cili është duke përjetuar një krizë të madhe humanitare për shkak të luftës që ka zgjatur për gati tetë vjet.