Sinan Doğan
08 maj 2024•Përditësim: 09 maj 2024
Numri i të vdekurve nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur në Brazil është rritur në 101, ndërsa 128 figurojnë të zhdukur, transmeton Anadolu.
Humbjet e jetëve dhe pronave janë në rritje për shkak të përmbytjeve që kanë ndodhur pas reshjeve të shiut që prej javës së kaluar në shtetin Rio Grande do Sul në jug të vendit.
Në deklaratën e bërë nga Mbrojtja Civile e rajonit, thuhet se numri i të vdekurve është rritur në 101 dhe numri i të zhdukurve në 128.
Në deklaratë theksohet se përmbytjet kanë qenë një nga fatkeqësitë më të mëdha klimatike në historinë e vendit dhe se 230.500 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe gjithsej 1,5 milion janë prekur negativisht nga katastrofa.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ka thënë se do të merren masat e nevojshme ligjore për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar dhe shtëpive të shkatërruara.
Duke theksuar se tragjedia klimatike në vend është një paralajmërim për botën, Lula da Silva tha se duhet të merren masa për sigurinë e planetit.
Ndryshe, më 3 maj, guvernatori i shtetit Rio Grande do Sul, Eduardo Leite, njoftoi shpalljen e “gjendjes së fatkeqësisë” për 180 ditë, ndërkohë që presidenti Lula da Silva është zotuar për rindërtimin e rajonit.