Elena Teslova
14 nëntor 2019•Përditësim: 15 nëntor 2019
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se situata në provincat siriane pranë lumit Eufrat është normalizuar falë zbatimit të memorandumit ruso-turk mbi Sirinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mikhail Mizintsev, zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, gazetarëve në Moskë u tha se aktivitetet ekonomike, përfshirë bujqësia, kanë rifilluar në rajonet pranë lumit Eufrat dhe se është mundësuar qasja e ndihmës humanitare në zonat më të prekura nga konflikti.
“Falë marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë, janë kryer patrullime të përbashkëta në zonat kufitare, ku dhe situata është e qëndrueshme”, tha Mizintsev, i cili është kreu i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Mbrojtjes së Rusisë, organ suprem komandues dhe kontrollues i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Patrullimet e para të përbashkëta të 1 nëntorit u kryen 40 kilometra në lindje të qytetit Ras al-Ayn dhe 30 kilometra në perëndim të qytetit Qamishli.
Të enjten, patrullimet e gjashta u kryen në lindje të lumit Eufrat në qytetin Ayn al-Arab, i njohur po ashtu si Kobani.
Turqia më 9 tetor nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së në Sirinë veriore, në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë në kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja dëshiron që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurt që do t’i hapë rrugë kthimit të sigurt të rreth 2 milionë refugjatëve.
Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri turko-sirian, si dhe forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta në atë zonë.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.