Zekeriya el-Kemali,Ayşe Sümeyra Aydoğdu
22 Gusht 2016•Përditësim: 22 Gusht 2016
SANA (AA) – Ali Abdullah Saleh, ish-presidenti i përmbysur i Jemenit dhe aleat i lëvizjes kryengritëse shiite Husi, deklaroi se Rusia është partneri i tyre “më i afërt” dhe se janë të gatshëm që Rusisë t’i ofrojnë për përdorim të gjitha kazermat, bazat ajrore dhe portet e Jemenit për nevojat e luftës kundër terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Rusia nga të gjithë është më e afërt, partneri ynë më i afërt. Ka pozitë ndikuese në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ne i ofrojmë Rusisë dorën për luftën kundër terrorizmit të cilin e mbështesin edhe disa shtete armiqësore”, tha Saleh në intervistë për televizionin publik rus Russia 24.
Duke theksuar se Jemeni me Rusinë ka shumë marrëveshje të nënshkruara bilaterale të cilat datojnë që nga periudha e Bashkimit Sovjetik, Saleh tha se është i gatshëm që të gjitha këto marrëveshje sërish t’i vë në fuqi.
“Dakordohemi kur është në pyetje prioriteti i luftës kundër terrorizmit. Ne luftojmë kundër armikut tonë, ndërsa Rusia nuk merr pjesë në atë luftën tonë. Ne i zgjasim dorën Rusisë dhe i ofrojmë asaj të gjitha përftimet e mundshme dhe marrëveshjet. Jemi të gatshëm t’i sigurojmë të gjitha përfitimet, duke përfshirë edhe përdorimin e kazermave, bazave ajrore dhe porteve tona”, tha Saleh.