Michael Hernandez
26 Janar 2017•Përditësim: 26 Janar 2017
WASHINGTON (AA) – Senatorja amerikane nga Hawai, Tulsi Gabbard, konfirmoi të mërkurën se ka takuar presidentin sirian Bashar al-Assad gjatë një vizite që ia bëri më herët Sirisë dhe më vonë Libanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrja e senatores kishte dhënë detaje të pakta për vizitën, me pretekstin e brengës për sigurinë e saj, ndërkohë që i kishte quajtur spekulime zërat se me të shkuar në Siri, Gabbard do të takojë Assadin.
“Fillimisht nuk kisha në plan të takoj Assadin, mirëpo kur m'u ofrua mundësia mendova se do të duhet ta shfrytëzoj”, tha Gabbard në një kumtesë të lëshuar.
“Ne do të duhet të jemi të gatshëm të takojmë secilin nëse kjo do të ndihmonte t'i japim fund kësaj lufte e cila po u shkakton aq shumë vuajtje sirianëve”, shtoi më tej senatorja amerikane e cila në kuadër të turnit të saj në datat 14-22 janar, qëndroi në Damask, Halep dhe Bejrut.
Tulsi Gabbard tha se pas vizitës, akoma më shumë ka fituar bindjen se regjimi i Assadit nuk duhet të përmbyset. “U ktheva në Washington DC me vendosmëri edhe më të madhe për ti dhënë fund luftës sonë të paligjshme për të përmbysur qeverinë siriane”, tha ajo për të shtuar se SHBA-të dhe shtetet tjera të cilat nxisin këtë luftë duhet ta ndalin menjëherë.
Gabbad ka sqaruar se vizita e saj ishe miratuar nga Komiteti për Etikë pranë Dhomës së Përfaqësuesve ndërkohë që ishte udhëhequr dhe sponsorizuar nga Qendra Amerikano-Arabe për Shërbime Ekonomike dhe Sociale.
Njoftimi i senatores amerikane u bë në kohën kur presidenti Donald Trump po përgatitet për të zbatuar një politikë të re amerikane ndaj Sirisë.
Disa herë Trump ka folur me tone kritike për ndërrimin e regjimit në Siri.