Ahmet Gürhan Kartal
26 Shkurt 2021•Përditësim: 27 Shkurt 2021
Gjykata e Lartë e Britanisë së Madhe vendosi se Shamima Begum, e cila humbi shtetësinë për shkak se u bashkua me organizatën terroriste DEASH në vitin 2015, nuk mund të kthehet në vend për të vazhduar betejën ligjore për shtetësinë e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
E njohur si "nusja e DEASH-it", për shkak të largimit nga Britania për t'u martuar me një anëtar të grupit terrorist, Begum humbi fazën e parë të apelit të saj gjyqësor më 7 shkurt kundër vendimit të Ministrisë së Brendshme për t'i hequr asaj shtetësinë britanike. Asaj iu hoq shtetësia për arsye sigurie pasi ajo u gjet në një kamp refugjatësh sirianë në vitin 2019.
Në kohën e largimit të saj nga Londra, 15-vjeçarja Begum me origjinë nga Bangladeshi para vendimit kishte shtetësi të Britanisë por jo edhe të Bangladeshit.
Qeveria argumentoi se pasi Begum është me origjinë nga Bangladeshi, ajo ka të drejtë për shtetësi të Bangladeshit në bazë të prejardhjes sipas ligjit të atij vendi dhe nuk mund të konsiderohet pa shtetësi.
Ajo jetoi në zonat e kontrolluara nga DEASH-i për tre vjet, duke u martuar me një luftëtar të huaj holandez. Begum kishte humbur dy fëmijë ndërsa të tretin e humbi menjëherë pas lindjes.
Begum, e cila tani është 21 vjeç, sfidoi vendimin e Ministrisë së Brendshme për t'ia hequr shtetësinë e saj britanike dhe kërkonte të lejohej të kthehej në Britani për të apeluar vendimin e heqjes së shtetësisë.
Fillimisht, Gjykata e Apelit tha se ajo duhet të lejohej të kthehej për t'u përballur me çështjen.
Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pas ankesës nga Ministria e Brendshme.