VARNA (AA) - Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka deklaruar se 14 shtete të Bashkimit Evropian (BE) kanë vendosur të dëbojnë diplomatë rusë, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e Tusk erdhën në qytetin bullgar Varna, ku gjendet për të marrë pjesë në Samiti BE-Turqi, duke folur para gazetarëve në lidhje me masat rreth helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në qytetin Salisbury të Britanisë.
Tusk tha se vendime për dëbimin e diplomatëve rusë në ditët në vijim do të marrin edhe shtetet e tjera të BE-së.
Sulmi në Salisbury kishte qenë temë kryesore në rendin e ditës në Samitin e Liderëve të BE-së më 22-23 mars në Bruksel.
Në deklaratën e përbashkët pas samitit ishte theksuar se gjasat janë të mëdha që pas sulmit ndaj ish-agjentit Skripa qëndron Rusia dhe se do të shqyrtohen hapat që mund të hedhen ndaj Rusisë.
SHBA dëbon 60 diplomatë rusë, mbyll konsullatën në Seattle
SHBA ka reaguar ndaj sulmit me agjent nervor të ish-spiunit rus në Britani duke dëbuar 60 diplomatë rusë për të cilët Washingtoni ka thënë se kanë punuar si oficerë të inteligjencës dhe duke urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në Seattle.
Rusët e përjashtuar përfshijnë 48 punonjës të ambasadës dhe 12 individë që punonin në misionin rus në OKB, konfirmoi një zyrtar i lartë i qeverisë për gazetarët në kushte anonimiteti. Ata kanë shtatë ditë për t'u larguar nga SHBA.
Konsullata në Seattle është mbyllur për shkak të afërsisë me një bazë amerikane të nëndetëseve, tha një zyrtar tjetër.
"Masat e sotme i bëjnë Shtetet e Bashkuara më të sigurta duke reduktuar aftësinë e Rusisë për të spiunuar amerikanët dhe për të kryer operacione të fshehta që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Amerikës", tha zyrtari.
Gjermania dëbon 4 diplomatë rusë
Në ndërkohë, po ashtu edhe Gjermania ka dëbuar katër diplomatë rusë për shkak të helmimit të agjentit të dyfishtë Sergei Skripal.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, në një deklaratë nga llogaria e tij zyrtare në rrjetin social Tëitter ka thënë se "Gjermania sot ka dëbuar katër diplomatë rusë për shkak se Rusia ende nuk po kontribuon në zbardhjen e rastit të helmimit në Salisbury".
Maas tha se me këtë hap kanë dërguar sinjalin se solidarizohen me Britaninë. Ai shtoi se ky vendim nuk është marrë lehtë.
Kanada vendos për dëbimin e 7 diplomatëve rusë
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland, ka njoftuar se kanë dëbuar katër diplomatë të Rusisë në ambasadën në Ottawa dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Montreal. Ajo poashtu ka theksuar se nuk dë të lejohet hyrja në vend edhe e tre diplomatëve të tjerë të caktuar për detyrë.
Ministrja Freeland në një deklaratë me shkrim është shprehur se vendimi për dëbimin e diplomatëve rusë është marrë në solidaritet me Britaninë e Madhe.
Duke e vlerësuar sulmin në Salisbury si “një akt të ulët, të pështirë dhe të pamatur, i cili rrezikon jetën e qindra personave”, Freeland thotë se, “Kanada sot ka ndërmarrë veprime kundër shtatë personelëve rusë. Ne po dëbojmë katër pjesëtarë të stafit diplomatik të cilët janë në detyrë në ambasadën e Federatës Ruse në Kanadë dhe në Konsullatën e Përgjithshme të Federatës Ruse në Montreal. Këta katër persona janë ata të cilët si shërbyes të inteligjencës po përdorin statutin e tyre diplomatik për të ndërhyrë në demokracinë tonë ose për të dobësuar sigurinë e Kanadës. Për arsye të ngjajshme, është refuzuar edhe aplikimi i qeverisë ruse për tre persona shtesë të stafit diplomatikë në Kanada”.
“Këto masa nuk janë kundër popullit rus, me të cilët populli kanadez ka lidhje të gjera dhe produktive. Kanada është e gatshme për dialog me Rusinë për këto çështje me të cilat po ballafaqohemi”, shton ministrja kanadeze.
Duke u shprehur se sulmet kimike paraqesin kërcënim të hapur ndaj rregullave të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar, Freeland theksoi se, “Ky akt i fundit i Rusisë është një pjesë më e gjerë e sjelljeve të papranueshme të Rusisë, përfshirë këtu bashkëpunimin me regjimin Asad, aneksimin e Krimesë, përleshjet në Ukrainë nën udhëheqjen e Rusisë, si dhe mbështetja e përleshjeve civile në Moldavi dhe në disa shtete tjera fqinje. Kanada mbështet fuqishëm masat e deritashme të Mbretërisë së Bashkuar dhe po vazhdon që të veprojë në mënyrë të vendosur së bashku me aleatët”.
Ukraina merr vendim për dëbimin e 13 diplomatëve rusë
Edhe Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social tha se si reagim ndaj rastit të helmimit, Ukraina ka marrë vendim për dëbimin e 13 diplomatëve rusë nga territori i saj.
Ai tha se numri i diplomatëve rusë është zvogëluar, duke treguar kështu solidaritet me partnerët britanikë të Ukrainës dhe aleatët transatlantik.
“Marrëdhëniet tona diplomatike me Federatën Ruse 'de facto' janë ngrirë", deklaroi Poroshenko.
Maqedonia dëbon një diplomatë rusë
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë poashtu bëri të ditur se me aleatët dhe partnerët e vendit të BE-së dhe NATO-s, si dhe në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar, ka vendosur të dëbojë një diplomat të Rusisë në Maqedoni, për shkak të rastit të Skripal-it, në përputhje të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
“Përdorimi i armëve ushtarake kimike është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe kjo ndikon në sigurinë e të gjitha vendeve”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.
Shqipëria shpall persona të padëshirueshëm dy diplomatë rusë
Shqipëria poashtu ka shpallur persona të padëshirueshëm dy diplomatë rusë.
Ky vendim është konfirmuar zyrtarisht nëpërmjet një deklarate nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
"Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik", thuhet në deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ndryshe, Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij Julia, 33 vjeç, u pranuan në një spital pasi u gjetën pa vetëdije në një stol më 4 mars në Salisbury.
Shumë vende kanë akuzuar Moskën për sulmin të cilin ata e përshkruajnë si sulm kimik, pjesërisht për shkak se agjenti nervor i përdorur në helmim ishte nga grupi i armëve kimike Novichok të zhvilluara nga Rusia gjatë Luftës së Ftohtë.
Incidenti është krahasuar me vdekjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko në vitin 2006, pasi u helmua me një substancë radioaktive në një hotel qendror në Londër. Ish-truprojat e KGB-së të identifikuar si të dyshuar në vrasje mohuan ndonjë përfshirje.
Skripal-it iu dha strehim në Mbretërinë e Bashkuar pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai ishte në vuajtje të dënimit me 13 vite burg për rrjedhje të informacioneve ndaj inteligjencës britanike.
news_share_descriptionsubscription_contact
