Ekip
21 Janar 2017•Përditësim: 21 Janar 2017
KARAÇI (AA) – Të paktën 20 persona u vranë dhe më shumë se 40 u plagosën të shtunën në mëngjes në një shpërthim me bombë në zonën fisnore afër kufirit me Afganistanin, raporton Anadolu Agency (AA).
"Një mjet i improvizuar shpërthyes i vendosur nën qesen e perimeve dhe frutave në një treg në një zonë të largët të Parachinar-it, e dominuar nga shiitët në Pakistanin kryesisht sunit, është aktivizuar me telekomandë", deklaroi gjeneral-majori Asif Ghafoor, zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze.
Ai shtoi se pjesëtarët e ushtrisë të mbështetur nga helikopterë janë ftuar të marrin pjesë në operacionin për shpëtim dhe ndihmë ndaj atyre që kishin pësuar.
Të plagosurit, në mesin e të cilëve disa shumë rëndë janë transportuar në spital ku mungesa e mjekëve dhe pajisjeve detyroi që me transport ajror me helikopterët ushtarak, disa të plagosur të dërgohen në Peshawar.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Pakistanit, që nga qershori i vitit 2014, gjatë operacionit ushtarak që është në vazhdim e sipër në rajonin fisnor, në përleshje dhe shpërthime janë vrarë afro 4.500 terroristë të dyshuar dhe 500 ushtarë kryesisht në Vaziristanin Verior.
Për shkak të operacioneve ushtarake janë zhvendosur rreth një milion njerëz nga Vaziristani Verior, prej të cilëve 30 përqind u kthyen në shtëpitë e tyre.