Felix Nkambeh Tih
29 Korrik 2019•Përditësim: 30 Korrik 2019
Të paktën 6 ushtarë nga Burundi i Afrikës Lindore janë vrarë në një sulm pranë kryeqytetit somalez Mogadishu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ushtarët ishin pjesë e Misionit të Unionit Afrikan në Somali (AMISOM).
“Elementët e grupit terrorist Al-Shabaab kanë sulmuar ushtarët burundezë të Misionit paqeruajtës të Somalisë (AMISOM) në qarkun Balad, rreth 30 kilometra në verilindje nga kryeqyteti Mogadishu”, tha mbrëmë koloneli Floribert Biyereke, zëdhënës i ushtrisë burundeze.
Biyereke theksoi se 6 ushtarë u vranë në vendngjarje, 3 të tjerë u plagosën rëndë ndërsa 2 ushtarë janë të zhdukur.
Sulmi erdhi vetëm disa ditë pasi gjashtë persona, përfshirë dy komisionerë rrethi u vranë në një sulm me bombë në një ndërtesë qeveritare në kryeqytetin e vendit. Grupi Al-Shabaab, i lidhur me Al-Kaedën në Somali, mori përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës.
Me një forcë prej 22 mijë trupash, AMISOM është një mision aktiv, rajonal dhe paqeruajtës, që punon nën mandatin e Unionit Afrikan dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Misioni u formua nga Këshilli i Paqes dhe Sigurisë i Unionit Afrikan në vitin 2006, me një mandat fillestar prej gjashtë muajsh.
Kontingjenti i Burundit është i dyti më i madh në AMISOM, me gjithsej 5.432 trupa, pas Ugandës që ka 6.000 trupa.
Burundi ka qenë aktiv në Forcën paqeruajtëse të Unionit Afrikan në Somali që nga viti 2007.
Somalia, e vendosur në bririn e Afrikës dhe që kufizohet nga Etiopia në perëndim, Gjiri i Adenit në veri ka është përballur me sulme të shumta terroriste gjatë dy dekadave të fundit.
Në tetor të vitit 2017, qindra njerëz u vranë në një sulm me autobombë në Mogadishu, sulmi më vdekjeprurës në historinë e vendit.