Şenhan Bolelli
29 mars 2023•Përditësim: 29 mars 2023
Politikania katalonjase Clara Ponsati (66), e cila ka jetuar jashtë vendit gjatë 5 viteve të fundit dhe ishte deputete e Parlamentit Evropian (PE), u lirua pasi u arrestua në Barcelonë të Spanjës, transmeton Anadolu.
Eurodeputetja Ponsati, për të cilën Gjykata e Lartë spanjolle kishte lëshuar më parë një urdhër-arresti, u arrestua nga policia katalonjase të martën pas një konference për media që mbajti në Barcelonë, në të cilën mori pjesë pa marrë leje nga autoritetet zyrtare.
Pas lirimit në mesnatë, ajo është rikthyer në Bruksel, ku sot pasdite do të marrë pjesë në seancën e PE-së.
Ponsati aktualisht akuzohet vetëm për mosbindje ndaj institucioneve shtetërore në Spanjë ndërsa dënimi për këtë është ndalesa e punës në institucionet publike.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Spanjës, Pablo Llarena thuhet se thirri Ponsatin në gjykatë më 24 prill.
Ish-presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili u largua nga Spanja pas përpjekjes së dështuar për pavarësi, u arrestua në shtator 2021 në ishullin italian Sardenja.
Qeveria aktuale e koalicionit të krahut të majtë në Spanjë, si rezultat i një marrëveshjeje me partitë politike separatiste katalonjase, bëri një ndryshim në ligjin penal duke zbutur krimin e rebelimit kundër shtetit në fund të vitit 2022 dhe u bë baza për kthimin e politikanëve katalonjas që ikën jashtë vendit.
Falë këtij ndryshimi ligjor, Ponsati u la e lirë.