Adam Moro
14 Maj 2019•Përditësim: 14 Maj 2019
Këshilli i Përkohshëm Ushtarak (MTC) i Sudanit ka deklaruar se ka arritur marrëveshje me aleancën opozitare “Liri dhe Ndryshim” mbi “strukturat e qeverisë dhe “autoritetin kalimtar”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i MTC-së, Shams al-Din al-Kabbashi, pohoi këtë pas një takimi që u mbajt ditën e djeshme me udhëheqësit e opozitës.
Duke e përshkruar takimin pozitiv, al-Kabbashi tha se të dyja palët kanë ra dakord mbi “strukturat e qeverisjes gjatë periudhës kalimtare”.
Takime të tjera, shtoi ai, do të mbahen gjatë ditës së sotme për të diskutuar kohëzgjatjen e periudhës kalimtare.
Udhëheqësi i aleancës opozitare, Taha Osman Ishaq, nga ana e tij, konfirmoi se takimi i djeshëm kishte dëshmuar një përparim domethënës.
“Ne u pajtuam me MTC-në për strukturën dhe kompetencat e tre degëve të qeverisë”, u tha Ishaq gazetarëve pa elaboruar.
Më 11 prill, ushtria sudaneze njoftoi “largimin” e presidentit Omar al-Bashir pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
MTC mbikëqyr një “periudhë dyvjeçare kalimtare”, gjatë së cilës është zotuar për mbajtjen e zgjedhjeve të lira presidenciale.
Por, opozita e udhëhequr nga aleanca për “Liri dhe Ndryshim” në vazhdimësi ka kërkuar që MTC ta dorëzojë pushtetin tek një autoritet civil.