Ekip
29 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Këshilli Ushtarak i Sudanit dhe aleanca opozitare nuk arritën përparim pas tre ditë bisedimesh mbi marrëveshjet e tranzicionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Bisedimet filluan mbi marrëveshjet për një periudhë të tranzicionit pasi presidenti Omer al-Bashir u rrëzua më herët këtë muaj.
Zëdhënësi ushtarak, Shams Aldin Kabashi, në një konferencë për media tha se të dyja palët do të vazhdojnë bisedimet në ditët e ardhshme, pavarësisht mosmarrëveshjeve në përqindjen e vendeve në këshillin e tranzicionit.
“Opozita ka paraqitur një propozim të një përbërjeje që përmban tetë vende për civilët dhe shtatë për ushtrinë, por ne si këshill ushtarak kemi kërkuar shtatë vende për ushtrinë dhe tre për civilët”, tha Kabashi.
Ai theksoi se në bisedime është bërë e qartë se sovraniteti i vendit duhet të jetë në duart e ushtrisë dhe se tërë kabineti mund të jetë një autoritet civil, por shtoi ai, opozita ka ndryshuar mendjen dhe tani presin që ata të dalin me një propozim më të hollësishëm.
Por, Kabashi tha se ka pasur disa përparime, pasi të dyja palët u pajtuan që të hapen rrugët kryesore që çojnë në sheshin para selisë së ushtrisë, rrugë të cilat janë përdorur për organizimin e protestave.
Aleanca e opozitës deri tani nuk ka komentuar komentet e Kabashit.