Ekip
09 Dhjetor 2019•Përditësim: 09 Dhjetor 2019
Ministria e Mbrojtjes së Irakut deklaroi se gjashtë luftëtarë janë plagosur në një sulm me raketa në kryeqytetin Bagdad, raporton Anadolu Agency (AA).
Katër raketa Katyusha goditën një kamp afër Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit, duke plagosur gjashtë luftëtarë, tha ministria në një deklaratë.
Megjithatë, në deklaratë nuk jepen detaje të mëtejshme në lidhje me identitetin e luftëtarëve.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Muajin e kaluar, dy raketa Katyusha goditën pranë zonës së fortifikuar të gjelbër në kryeqytetin irakian.
Sulmi i së hënës erdhi mes protestave masive që nga fillimi i tetorit në të cilat u vranë 485 protestues irakianë dhe u plagosën 17.000 të tjerë, sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut.
Më 1 dhjetor, Parlamenti i Irakut pranoi dorëheqjen e Kryeministrit Adel Abdul-Mahdi mes protestave kundër korrupsionit dhe kushteve të dobëta të jetesës në vend.