Ekip
09 Shkurt 2020•Përditësim: 10 Shkurt 2020
Një ushtar me armën e tij vrau 26 njerëz dhe plagosi 57 të tjerë në masakrën më të rëndë në Tajlandë, para se të qëllohej për vdekje brenda një qendre tregtare në verilindje të vendit të dielën, thanë zyrtarët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët thanë se ushtari, i cili ishte i zemëruar për një mosmarrëveshje financiare, së pari vrau dy persona në një bazë ushtarake dhe më pas vazhdoi me tërbimin e tij të përgjakshëm të shtunën, duke shtënë teksa hyri në një qendër tregtare ku blerësit u larguan nga terrori.
Policisë iu deshën 16 orë për t'i dhënë fund krizës.
Autoritetet thanë se sulmin në qytetin Nakhon Ratchasima, qendër e rajonit verilindor relativisht të varfër dhe rural të Tajlandës, e kreu rreshteri Jakrapanth Thomma.
"Ky incident ishte i pashembullt në Tajlandë", u tha kryeministri Prayuth Chan-ocha gazetarëve të dielën në mëngjes, pasi vizitoi të plagosurit në spitale.
"Shpresoj që ky të jetë incidenti i parë dhe i fundit dhe që kurrë të mos ndodhë më. Askush nuk dëshiron që kjo të ndodhë. Kjo ka mund të ndodhë për shkak të shëndetit mendor të këtij personi në këtë moment", tha ai.
Videoja e realizuar jashtë qendrës tregtare ky hyri agresori tregonte se si njerëzit vraponin për t'u strehuar. Shumë u vranë jashtë qendrës, disa në makina, ndërsa disa të tjerët teksa po ecnin.
Pak para mesnatës, policia njoftoi se kishte siguruar qendrën tregtare, por ende po kërkonin sulmuesin. Rreth 16 orë më vonë, zyrtarët mbajtën një konferencë shtypi para qendrës tregtare për të njoftuar se personi i armatosur ishte qëlluar për vdekje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kongcheep u tha mediave tajlandeze se personi i parë i vrarë ishte komandanti i Batalionit të 22-të, në të cilin edhe i dyshuari shërbeu. Ai tha që sulmuesi kishte qëlluar ndaj të tjerëve në bazën e tij dhe kishte marrë armë dhe municion para se të ikte me një automjet ushtarak.
Rreshteri gjithashtu postoi filmime në faqen e tij në Facebook gjatë sulmit.