Ekip
17 Prill 2018•Përditësim: 17 Prill 2018
MWANZA (AA) – Numri i të vdekurve si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga rënia e pandërprerë e shiut në pjesë të ndryshme të Tanzanisë ka shkuar në 15 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të paktën 250 shtëpi në Dar es Salaam, kryeqyteti i biznesit të Tanzanisë, Arusha, Manyara, Tabora dhe Zanzibar u shkatërruan nga rrebeshi. Numri mund të rritet teksa në këtë vend vazhdojnë reshjet e rrëmbyeshme për ditën e katërt me radhë.
Komisari Rajonal i Dar es Salaam, Paul Makonda konfirmoi se nëntë persona kanë humbur jetën.
"Një vlerësim përmes helikopterit konfirmon dëmtime serioze mbi shtëpitë dhe infrastrukturën. Nëntë persona kanë humbur jetën dhe të paktën gjashtë të tjerë janë lënduar ", tha Lazaro Mambosasa, një oficer policie që komandonte zonën speciale Dar es Salaam.
Wilbrod Mtafungwa, një oficer policie që komandonte rajonin Tabora, tha se tre persona kanë humbur jetën deri më sot.
Dy njerëz janë raportuar të vdekur në rajonin Arusha, qyteti turistik verior i Tanzanisë dhe një i vdekur në rajonin Manyara.
Shumica e viktimave janë që jetojnë në zonat fushore dhe autoritetet u kanë kërkuar njerëzve të zhvendosen nga luginat në vende tjera.
Agjencia Meteorologjike e Tanzanisë (TMA) ka paralajmëruar për reshje të rënda deri nesër në zonat përreth Oqeanit Indian, duke përfshirë Ishujt Zanzibar, Dar es Salaam, Tanga, Lindi, Mtwara dhe Morogoro.