Ekip
27 Dhjetor 2020•Përditësim: 28 Dhjetor 2020
Perla historike e njohur si Beit-al-Ajaib, Shtëpia e Mrekullive në Zanzibar të Tanzanisë, është shembur pjesërisht, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
E ndërtuar në vitin 1883, ndërtesa historike në Stone Town (Qytetin e Gurit) tërhoqi turistë nga e gjithë bota.
I cilësuar si një vend i Trashëgimisë Botërore që nga viti 2000, monumenti ishte duke iu nënshtruar restaurimit me një kosto prej 10 miliardë shilinga (4,3 milionë dollarë), financuar nga qeveria e Omanit, njoftoi e përditshmja lokale "The Citizen".
Katër persona u shpëtuan nga mbeturinat të premten në mbrëmje dhe u dërguan në spital pasi ndërtesa u shemb, sipas raportit.
"Aksidenti është një humbje e madhe për turizmin sepse mbi 80 për qind e turistëve që vijnë në Zanzibar u tërhoqën nga Shtëpia e Mrekullive në Stown Town", citoi "The Citizen" ministren e Turizmit dhe Antikiteteve Lela Mohamed Mussa.
Një hetim fillestar zbuloi paaftësi të pretenduar nga ana e kontraktorit të ngarkuar me restaurimin e strukturës së shekullit të 19-të.
"Projekti do të vazhdojë rindërtimin e ndërtesës së ngjashme sepse skica dhe vizatimet janë në dispozicion", ka thënë Mussa.
Duke theksuar rëndësinë e ndërtesës, ajo vazhdoi: "Është një goditje e madhe. Kjo është arsyeja pse të gjithë udhëheqësit e lartë të qeverisë ishin në vendin e ngjarjes menjëherë pas aksidentit".
Në një deklaratë, Ministria e Turizmit e Zanzibarit tha se ndërtesa ishte në zemër të aktiviteteve të turizmit në arkipelagun gjysmë-autonom.
Ndërkohë, Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Mechtild Rossler, tha se ata ishin në kontakt me Autoritetin e Ruajtjes dhe Zhvillimit të Stone Town, i cili aktualisht po kryen operacionet e shpëtimit dhe së shpejti do të fillojë një vlerësim paraprak të dëmit të shkaktuar nga shembja.
Në një deklaratë, ajo shtoi: "Ne kemi besim se autoritetet do të kryejnë veprimet dhe vlerësimet e nevojshme emergjente për të kuptuar shkaqet e këtij dëmtimi dhe të propozojnë zgjidhje për ruajtjen e këtij monumenti i cili është një komponent thelbësor që kontribuon në Vlerën e Shquar Universale. UNESCO është e gatshme të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme dhe ne jemi me Republikën e Bashkuar të Tanzanisë për të përballuar këtë katastrofë".
- Historia e Beit-al-Ajaib
Shtëpia e Mrekullive është një nga gjashtë pallatet e ndërtuara nga Barghash bin Said, Sulltani i dytë i Zanzibarit, në vitin 1883 dhe ndodhet në vendin e pallatit të shekullit të 17-të të mbretëreshës Fatuma të Zanzibarit. Ajo gjithashtu strehon Muzeun e Historisë dhe Kulturës të Zanzibarit dhe Bregut Suahili.
Ndërtesa ishte menduar si një pallat ceremonial dhe sallë zyrtare pritjeje. Ajo u quajt Shtëpia e Mrekullive sepse ishte ndërtesa e parë në Zanzibar që kishte energji elektrike, dhe gjithashtu ndërtesa e parë në Afrikën Lindore që kishte një ashensor.