Tuğçenur Yılmaz
16 Mars 2019•Përditësim: 16 Mars 2019
Brenton Harrison Tarrant, një nga terroristët që sulmuan dy xhami në qytetin Christchurch në Zelandën e Re, zbulohet se në dy data të ndryshme ka qenë në Turqi në vitin 2016, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas TRT World, shtetasi australian Tarrant, një nga terroristët që masakroi 49 persona gjatë faljes së namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch, mësohet se gjatë datave 17-20 mars para tentativës së grushtit të FETO-s më 15 korrik 2016 ka qenë në Turqi. Ai poashtu kishte ardhur sërish në Turqi më 13 shtator pas grushtit të shtetit.
Zyrtarët turq janë fokusuar mbi mundësinë se Tarrant i cili herën e dytë ka qëndruar 43 ditë në Turqi, mund të ketë ardhur për të kryer ndonjë sulm të mundshëm terrorist.
Sipas ABC News me transmetim në Australi, është përcaktuar se Tarrant ka vizituar Evropën, Azinë Juglindore dhe Azinë Lindore dhe në vitin 2018 ka qenë edhe në Pakistan. Gjithashtu në lajm janë paraqitur edhe fotografi të cilat tregojnë se Tarrant ka qenë edhe në Korenë e Veriut.
Gjatë ditës së djeshme, edhe Prokuri bullgar i Përgjithshëm, Sotir Tzatzarov, tha se i dyshuari Brenton Tarrant i lindur në Australi, ishte në Bullgari midis 9 dhe 15 nëntorit të vitit të kaluar për të vizituar vendet historike.
Tzatzarov theksoi se Tarrant me një makinë të marrë me qira po ashtu edhe në vitin 2016 ka udhëtuar nëpër Bullgari, Rumani, Hungari dhe nëpër disa vende të tjera të Ballkanit.