Abdelrahman Fathy Ramadan Mohamed
27 Korrik 2021•Përditësim: 27 Korrik 2021
Mohammed al-Kani, udhëheqësi i milicisë Al-Kani i rreshtuar me kryekomandantin libian Khalifa Haftar, thuhet se u vra derisa i rezistonte një force të sigurisë që erdhi ta arrestonte në shtëpinë e tij në Bengazi, sipas mediave libiane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Disa media, përfshirë kanalin TV Al-Ahrar, theksuan se Al-Kani, i cili kërkohej për përfshirjen e tij në vrasjet masive në qytetin Tarhuna, u vra në zonën Bouatni në Benghazi.
Kanali privat February tha se ai u vra nga milicia Tariq bin Ziyad, e lidhur me forcat e Haftar-it, pasi bastisi banesën e tij, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kanali transmetoi video nga Tarhuna që tregojnë dhjetëra njerëz duke festuar vrasjen e Al-Kani-t.
Në nëntor të vitit 2020, Thesari i SHBA-së njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj milicisë Al-Kani dhe udhëheqësit të saj për vrasjen e civilëve, trupat e të cilëve u gjetën në varre masive në Tarhuna, si dhe torturimin dhe zhvendosjen e mijëra të tjerëve.
Pas disfatës së forcave të Haftar-it në zonat perëndimore të Libisë, qeveria libiane gjeti të paktën 300 trupa të pajetë në varre masive në Tarhuna dhe në jug të Tripolit.
Më 5 shkurt, grupet politike rivale të Libisë u dakorduan në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për të formuar një qeveri të përkohshme të unitetit për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve këtë dhjetor, duke caktuar një kryeministër, Abdul Hamid Dbeibeh, dhe duke e ngarkuar atë për formimin e një qeverie të re.
Libianët shpresojnë që ky hap do t'i japë fund viteve të luftës civile që ka përfshirë vendin që nga rrëzimi dhe vrasja e Muammar Gaddafit në vitin 2011.