Bahtiyar Abdülkerimov
19 Prill 2022•Përditësim: 19 Prill 2022
Këshilltari i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Oleksiy Arestovych, tha se Rusia synon të pushtojë katër rajone në ofensivën e saj të re në Ukrainën lindore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë të transmetuar në kanalin Feygin Live në YouTube, Arestovych tha se Rusia ka katër objektiva në ofensivën e re të nisur në Donbas, duke shtuar se të dielën filloi sulmi i ri i Rusisë për të arritur këto objektiva.
Që nga viti 2014, rajoni lindor i Donbasit është shkatërruar nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Pak para fillimit të luftës në fund të shkurtit, Rusia njohu "pavarësinë" e Donetskut dhe Luhanskut.
Duke vënë në dukje se ushtria ruse po përpiqet kryesisht të thyejë vijën e mbrojtjes në lindje të vendit, Arestovych pohoi se detyra e saj e parë është kapja e zonës në rrugën Rubizhne, Popasna dhe Sievierodonetsk në rajonin Luhansk.
Në këtë mënyrë, shtoi ai, rusët do të përpiqen ta shkëputin këtë rajon nga pjesët e tjera të vendit.
Arestovych më tej tha se objektivi i dytë i rusëve është të kapin këto toka duke sulmuar rajonin nga Izium në Sloviansk dhe Kramatorsk në rajonin verilindor Kharkiv.
Ai shtoi se objektivat e tjera të Rusisë janë qyteti Huliaipole në rajonin Zaporizhzhia dhe Mariupoli.
Më herët gjatë ditës së djeshme, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një fjalim drejtuar kombit, tha: "Trupat ruse kanë filluar betejën për Donbasin, për të cilën ata janë përgatitur për një kohë të gjatë".