18 Nëntor 2022•Përditësim: 19 Nëntor 2022
Davit Kachkachishvili
Në Ukrainë ku vazhdon lufta me Rusinë, Emine Sadullayeva një 20-vjeçare turke Ahiska, e cila kaloi 8 muaj larg familjes në qytetin Kherson, gjatë të cilëve ishte nën kontrollin e ushtrisë ruse tregoi për Anadolu Agency (AA) përjetimet e luftës.
Sadullayeva, mbesa e një familjeje turke Ahiska me prejardhje nga Gjeorgjia e sotme, të cilët u syrgjynosën (internuan) në tokat e Kirgistanit, Kazakistanit dhe Uzbekistanit në Azinë Qendrore nga Josef Stalini më 14 nëntor 1944, gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik, u përpoq të mbijetojë ndaj vështirësive të luftës e vetme në Kherson.
Sadullayeva, e cila jeton në qytetin që u mor nën kontrollin e ushtrisë ukrainase pas tërheqjes së forcave ruse javën e kaluar dhe ëndërron të bëhet mjeke, nuk u largua nga Khersoni pavarësisht të gjitha rreziqeve.
Sadullayeva, e cila mori pjesë në festimet në Sheshin e Pavarësisë në qendër të qytetit, ku nuk mund të ofrohen shërbimet e energjisë elektrike dhe të ujit dhe banorët po përpiqen të sigurojnë jetesën me ndihma humanitare, tregoi për përjetimet e saj në muajt e fundit.
Duke thënë se ajo është studente në Fakultetin e Mjekësisë të një universiteti në Kherson, Sadullayeva theksoi se ajo ka punuar si asistente doktoreshe në spitalin e qytetit para fillimit të luftës.
Ajo tha se forcat ruse i sollën ushtarët rusë të plagosur në spitalin civil ku ajo punonte pasi ata hynë në rajon. "Ata sillnin ushtarët e plagosur, por nuk na lanë t'u afroheshim. Vetëm disa mjekë mund të shkonin tek ata", tha Sadullayeva.

Sadullayeva deklaroi se ajo vendosi të mos largohej nga Khersoni për të vazhduar kujdesin shëndetësor për civilët në qytetin e shkatërruar nga lufta. "Unë punoja atëherë. Unë po ndihmoja njerëzit. Nuk mbetën shumë infermiere, ata ikën", tha ajo.
Sadullayeva shpjegoi se prindërit e saj ishin larguar nga qyteti me dy vëllezërit dhe motrat e saj më të vogla dhe ishin evakuuar në lagjen Henicheskiy të rajonit Kherson dhe se tani ka ushtarë rusë atje.
Më pas ajo tha se nuk mund të kontaktonte më babanë e saj, me të cilin kishte folur në telefon më parë. "Hera e fundit që fola me familjen time në telefon ishte më 15 nëntor. Ushtarët rusë që ishin tërhequr nga këtu tani shkuan në vendet e tyre. Tani ata (familja) kanë filluar të përjetojnë atë që ndjeva unë këtu", tha Sadullayeva.
- "Ndihemi të lirë tani"
Sadullayeva tha se në fillim kishte frikë sepse ishte e vetme në shtëpi. "Isha shumë e frikësuar. Nuk dija çfarë të bëja, ku të shkoja, ku të strehohesha. Kisha stres. Nuk mund të shihja njeri në rrugë", tregon ajo.
Duke thënë se e mësoi në rrugë se kishin ardhur ushtarët ukrainas në Kherson sepse nuk kishte lidhje telefonike në qytet, Sadullayeva shtoi: "Kur pashë flamurin ukrainas në rrugë, pyeta veten se kush e vari atë. Pastaj pashë ushtarët ukrainas. Në fillim nuk mund të besoja se ishin ushtarët tanë. Kur pashë ushtarët, fillova të qaja nga gëzimi".

Sadullayeva thekson se çlirimi i Khersonit ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të. "Ne ndihemi të lirë tani. Mund të shkojmë ku të duam. Mund të bëjmë çfarë të duam. Kur rusët ishin këtu, askush nuk mund të dilte jashtë, kishin frikë", tha ajo.
- Ajo e mbron gjuhën turke
Në vazhdim ajo u shpreh se të folurit turqisht është jashtëzakonisht e rëndësishme për të, sepse ajo është turke Ahiska. Sadullayeva tha se në Kherson nuk ka shumë turqishtfolës dhe përpiqet të takohet dhe të bisedojë me të gjithë ata që flasin turqisht.
"Unë i dal zot turqishtes. Mundohem të shikoj seriale turke dhe të flas turqisht me prindërit e mi. Nuk duhet të harrojmë gjuhën turke. Nëse e harrojmë gjuhën, atëherë nuk mund të jemi turq. Nëse harroj gjuhën time, atëherë kush do të jem unë? Nuk mund të jem askush", tha Sadullayeva.
- "Türkiye kujdeset për ne"
Sadullayeva tha se turqit Ahiska, të cilët u syrgjynosën nga atdheu i tyre, janë përpjekur të mbijetojnë në pjesë të ndryshme të botës për dekada.
"Të gjithë turqit Ahiska duan të jetojnë së bashku. Ne nuk duam më luftë. Askush nuk dëshiron luftë. Familja ime dëshiron të jetojë normalisht. Të afërmit tanë që jetojnë në rajonin e Khersonit lanë gjithçka në mënyrë që fëmijët e tyre të mbijetonin", deklaroi ajo.
Duke thënë se shteti turk mbështet turqit Ahiska në të gjithë botën, Sadullayeva tha: "Kur të marr diplomën, do të shkoj në Türkiye për të punuar. Mbështetja e Türkiye-s është shumë e rëndësishme për mua. Ndihem e lumtur dhe e qetë. Nuk kam frikë. Të gjithë turqit, gratë dhe burrat janë shumë të fortë", tha Sadullayeva.