Asiye Latife Yılmaz
24 Tetor 2025•Përditësim: 24 Tetor 2025
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro akuzoi SHBA-në se po zhvillon luftë të vazhdueshme psikologjike kundër vendit të tij, transmeton Anadolu.
"Ne kërcënohemi çdo ditë nga perandoria amerikane me luftë të përditshme psikologjike. Fjalë të ashpra. Ata lëvizin një anije, ata lëvizin një raketë", tha Maduro duke pretenduar se SHBA-ja po kërkon ndryshimin e regjimit në Venezuelë.
Duke folur në një aktivitet të transmetuar në televizionin shtetëror VTV, ai tha se populli dhe ushtria janë të bashkuar në nivelin më të lartë për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Maduro theksoi se do të veprojë me qetësi dhe racionalitet.
Më parë, ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino Lopez tha se forcat e armatosura po mbajnë një vendosje të plotë përgjatë bregdetit të vendit për të arritur "pikën optimale" të koordinimit dhe gatishmërisë për t'iu përgjigjur vendosjes detare të SHBA-së në Detin e Karaibeve.
Deklarata erdhi mes vendosjes së SHBA-së në Karaibe, të cilën Karakasi e sheh si një kërcënim të drejtpërdrejtë që synon nxitjen e ndryshimit të regjimit.
Washingtoni thotë se forcat e tij po synojnë trafikimin e dyshuar të drogës me origjinë nga vendi i Amerikës së Jugut, një pretendim i refuzuar me forcë nga qeveria e Venezuelës.