Lokman İlhan
25 Janar 2019•Përditësim: 26 Janar 2019
KARAKAS (AA) – Mbi 260 persona janë arrestuar gjatë protestave që nga fillimi i kësaj jave mbahen në Venezuelë, njoftuan mediumet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Megjithatë, burime të opozitës theksuan se janë arrestuar 364 persona, ndërsa 26 kanë vdekur.
Komandanti i Njësisë për Mbrojtje Strategjike, William Serantes Pinto, për mediumet lokale deklaroi se janë arrestuar 268 persona, të cilët kanë qenë të përfshirë në traziat e kësaj jave.
Qendra për Vëzhgim të Problemve Sociale, e cila vepron pranë opozitës, tha se 26 persona u vranë gjatë trazirave. Megjithatë, institucionet zyrtare nuk janë prononcuar ende për këto pretendime.
Protestat në Venezuelë filluan më 10 janar, në ditën që presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro dha betimin solemn dhe filloi mandatin e dytë si president i shtetit.
Opozita në Venezuelë nuk e njeh pushtetin e presidentit Maduro, ndërsa kreu i opozitës së këtij vendi Juan Guaido u vetëshpall president i përkohshëm.
Maduro pohon se bëhet fjalë për tentim grusht shteti të mbështetur nga SHBA, e cila haptazi qëndroi në anën e opozitës dhe Guaidos.
Krahas SHBA-së, opozitën në Venezuelë në marrjen e pushtetit e mbështetën Brazili, Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kostarika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja dhe Paraguaji. Nga ana tjetër, Turqia, Rusia, Kina, Irani, Bolivia, Meksika dhe vende të tjera vazhdojnë të njohin legjitimitetin dhe mbështesin qeverinë e Maduros.