Lokman İlhan
28 Janar 2019•Përditësim: 28 Janar 2019
KARAKAS (AA) - Juan Guaido, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, i cili e deklaroi veten si president i përkohshëm i vendit, i kërkoi opozitës të vërshojë përsëri rrugët të mërkurën dhe të shtunën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në rrjetin social Twitter, Guaido, i cili nuk e pranon legjitimitetin e presidentit Nicolas Maduro dhe është mbështetur nga shumë vende perëndimore me në krye SHBA-në, shpërndau një video-mesazh në të cilin dha detaje në lidhje me protestat që do të orgaizohen këtë jave.
Ai i ftoi simpatizantët e tij në Karakas që të dalin në rrugë në orët e pasdites, duke shtuar se gjatë këtyre protestave do të kërkojnë nga ushtarët "të jenë në anën e popullit dhe të lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare në vend".
Duke rikujtuar se shumë vende të Evropës Perëndimore i kanë dhënë ultimatum Maduros për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, Guaido tha se për ta mbështetur këtë, do të mbajnë demonstrata edhe të shtunën në mbarë vendin.
Ai kërkoi pjesëmarrje nga e gjithë bota në protestat, sipas tij, tejet të mëdha.
Guaido po ashtu i bëri thirrje Komisares së Lartë të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Michelle Bachelet, duke thënë se ajo duhet të vijë në Venezuelë dhe të shohë gjendjen aktuale.
Ndërkohë, anëtarët e Asamblesë Kombëtare u kanë shpërndarë ushtarëve në Karakas ligjin e amnistisë të cilin e kanë përgatitur për t'i dhënë fund mbështetjes së ushtrisë ndaj Maduros.
Deputetët opozitarë kanë shkuar në grupe në hyrjet e bazave ushtarake në kryeqytet dhe janë përpjekur t'ua shpërndajnë teksitn e ligjit ushtarëve. Sipas disa pamjeve në rrjetet sociale, disa ushtarë e kanë pranuar atë, ndërsa disa të tjerë e kanë djegur.
Çfarë ndodhi në Venezuelë?
Më 23 janar në Venezuelë u organizuan tubime edhe nga opozita, edhe nga simpatizantë të pozitës, të cilat shkaktuan zhvillime të rëndësishme për vendin dhe rajonin.
Guaido, presidenti i Asamblesë Kombëtare, shumica e së cilës është në duart e opozitës, u vetëshpall president i përkohshëm, hap i cili u njoh nga disa vende, përfshirë SHBA-në, Australinë, Kanadanë, Kolumbinë, Perunë, Ekuadorin, Paraguajin, Brazilin, Kilin, Panamanë, Argjentinën, Kostarikën dhe Guatemalën.
Ndërkaq, Meksika, Turqia, Rusia, Kuba, Kina dhe Bolivia riafirmuan mbështetjen për Maduron, i cili në vazhdën e zhvillimeve ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në.