Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut (MENA) vazhdoi të jetë skenë e ngjarjeve të shumta në vitin 2021, nga pajtimi midis vendeve të Gjirit deri te sulmi i Izraelit mbi rajonin e bllokuar të Gazës dhe largimi i qeverive demokratike civile në Tunizi dhe Sudan, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas gati katër vitesh mosmarrëveshje midis Katarit dhe fqinjëve të tij të Gjirit (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini) së bashku me Egjiptin, një samit në qytetin Ola të Arabisë Saudite solli pajtimin. Në fund të samitit, liderët e pesë vendeve ranë dakord për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre dhe për t’i dhënë fund luftës mediatike kundër njëri-tjetrit, krahas zhvillimit të kontakteve politike dhe sociale.
Sipas shumë ekspertëve, fundi i epokës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, së bashku me kërcënimin në rritje nga programi bërthamor i Iranit, i bëri vendet e Gjirit të lënë mënjanë dallimet dhe të bashkohen.
Ndërsa rënia e çmimeve të energjisë goditi Arabinë Saudite dhe Katarin e pasur me naftë, pandemia COVID-19 shtoi gjithashtu vështirësitë ekonomike në rajon.
Tensioni në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor ishte temë kryesore botërore gjatë vitit.
- Konflikti Izrael-Palestinë
Për vite me radhë, gjykatat izraelite dëgjuan kolonët hebrenj dhe banorët palestinezë. Ata vendosën në favor të kolonëve, gjë që u kundërshtua nga banorët.
Në nëntor të vitit 2008, familja Al-Kurd u dëbua nga shtëpia e tyre. Një vit më vonë, familjet Hanoun dhe Al-Ghawi u dëbuan gjithashtu.
Kolonët pushtuan shpejt shtëpitë e tyre dhe ngritën flamuj izraelitë mbi to, duke shënuar një fazë të re vuajtjeje nga palestinezët në lagjen Sheikh Jarrah.
Në prill të këtij viti, 12 familje palestineze në lagje pranuan urdhra të reja dëbimi nga gjykatat izraelite.
Megjithatë, ata e refuzuan vendimin. Anëtarët e familjes Al-Kurd, Mohammed dhe Mona nisën një fushatë për të rritur mbështetjen për kauzën e tyre.
Tensionet në Sheikh Jarrah bënë që ushtarët izraelitë të sulmonin Xhaminë Al-Aksa në natën Kadrit në muajin e shenjtë të Ramazanit, kur njerëzit po luteshin atje. Skenat e ushtarëve izraelitë duke rrahur palestinezët brenda xhamisë shkaktuan zemërim.
Situata shpejt u përshkallëzua në një operacion ushtarak të plotë izraelit kundër rajonit të bllokuar të Gazës.
Lufta 11-ditore çoi në vrasjen e 232 palestinezëve, duke përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, së bashku me zhvendosjen e 120 mijë qytetarëve. Të paktën 1.800 shtëpi u shkatërruan plotësisht dhe 17 mijë u dëmtuan pjesërisht. Konflikti çoi gjithashtu në vrasjen e 13 ushtarëve.
Ky vit më në fund dëshmoi humbjen e pushtetit nga kryeministri më jetëgjatë izraelit Benjamin Netanyahu, pasi ai nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të votave në zgjedhjet parlamentare.
Paraprakisht, ai u mbijetoi katër raundeve zgjedhore të mbajtura brenda dy vitesh.
- Ndryshimi i qeverive në Izrael dhe Iran
Naftali Bennet, një udhëheqës ultra-ekstremist i partisë E Djathta e Re, u bë kryeministri i 13-të i vendit.
Vlen të përmendet se Mansour Abbas, i cili kryeson Listën e Bashkuar Arabe (Ra'am) u shfaq si një vendimtar në koalicionin e udhëhequr nga Bennet.
I përballur me akuzat për korrupsion, ryshfet dhe pandershmëri, nuk është ende e qartë nëse Netanyahu do të jetë në gjendje të rikthehet.
Fitorja e ultra-konservatorit Ebrahim Raeisi në zgjedhjet presidenciale në Iran, duke zëvendësuar reformistin Hassan Rouhani, ishte një tjetër zhvillim i madh në vitin 2021.
Ish-kreu i drejtësisë iraniane Raeisi fitoi zgjedhjet presidenciale me shumicë, duke siguruar 17,9 milionë vota nga 28,9 milionë vota të hedhura gjatë votimit.
Raeisi, një klerik-politik i rangut të lartë, konsiderohet figurë konservatore e vijës së ashpër në Iran dhe një kritik i pamëshirshëm i Perëndimit, veçanërisht i SHBA-së.
Duke qenë një ndihmës i ngushtë i liderit suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei, ai u sanksionua nga Thesari i SHBA-së në nëntor 2019, duke u bërë kështu presidenti i parë iranian nën sanksione në kohën e marrjes së detyrës.
- Shfuqizimi i demokracisë në Tunizi dhe Sudan
Tunizia, vendlindja e Pranverës Arabe në vitin 2011, ishte skenë e një konflikti të shtuar midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të demokratizimit të rajonit arab.
Më 25 korrik, presidenti tunizian Kais Saeed vendosi të ngrijë parlamentin për 30 ditë, të heqë imunitetin e anëtarëve të tij, të shkarkojë kryeministrin Hichem Mechichi dhe të marrë përsipër autoritetin ekzekutiv.
Shumë parti tuniziane, duke përfshirë Ennahda-n, denoncuan lëvizjen e presidentit dhe e quajtën atë një "grusht shteti" kundër procesit të tranzicionit demokratik që vendi kishte përjetuar që nga viti 2011.
Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në dhe BE-në, thirrën presidentin tunizian që të rivendoste parlamentin e vendit dhe të ruante arritjet demokratike në vend.
Tunizia shihej si i vetmi vend që ia doli të kryente një tranzicion demokratik midis vendeve arabe që u përballën me revolucione popullore të cilat rrëzuan regjimet në pushtet, duke përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Jemenin në vitin 2011.
Po ashtu, situata politike në Sudan iu nënshtrua pengesave shtesë pasi ushtria e vendit mori plotësisht nën kontroll institucionet politike më 25 tetor.
Duke shpërbërë Këshillin Sovran në pushtet, shefi i ushtrisë, Gjeneral Abdel-Fattah Al-Burhan, urdhëroi një operacion kundër liderëve politikë dhe zyrtarëve të qeverisë. Kryeministri Abdallah Hamdok dhe gruaja e tij u dërguan gjithashtu në një destinacion të panjohur.
Për të shfaqur kundërshtimin ndaj lëvizjes së ushtrisë, dhjetëra mijëra sudanezë dolën në rrugë dhe bënë thirrje për kthim të pushtetit civil në vend.
Mes protestave në rritje dhe presionit ndërkombëtar, ushtria sudaneze nënshkroi një marrëveshje me kryeministrin e arrestuar Hamdok, duke i hapur rrugën për t’u kthyer në pozicionin e tij.
Megjithatë, protestat vazhduan, pasi shumë forca politike sudaneze akuzuan kryeministrin Hamdok se i ka "zhgënjyer" duke u pajtuar me ushtrinë.