Ekip
16 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
BRUKSEL (AA) – Agjencia statistikore e Bashkimit Evropian (BE) njoftoi se vitin e kaluar më shumë se 1.2 milionë persona kanë parashtruar kërkesë për azil në vendet anëtare të bllokut, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat, të cilat Eurostat i publikoi të enjten, tregojnë për herë të parë se numri i kërkesave të parashtruara për azil është diçka më i vogël në krahasim me numrin e vitit 2015.
Por kjo shifër është thuajse dyfish më e madhe në krahasim me 562.700 persona të cilët parashtruan kërkesën e parë për azil në vitin 2014.
Nga personat që kanë ardhur vitin e kaluar, rreth një e treta janë shtetas të Sirisë (334.800), ndërsa 183.000 shtetas të Afganistanit dhe 127.000 shtetas të Irakut kanë kërkuar strehim në BE.
Eurostat thekson se 60 për qind e kërkesave janë parashtruar në Gjermani, ndërsa vijon Italia me dhjetë për qind.
Numri i aplikimeve ka rënë në Suedi, Finlandë, Danimarkë dhe Hungari.
Theksohet se në fund të vitit të kaluar në procedurë përpunimi edhe më tej kanë qenë rreth një milion kërkesa.