Ömer Koparan,Adham Kako
11 Dhjetor 2019•Përditësim: 12 Dhjetor 2019
Mbi 500 pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH dhe familjet e tyre në kampin Hol të qytetit Haseke në verilindje të Sirisë janë liruar nga organizata terroriste YPG/PKK.
Sipas informacioneve që Anadolu Agency (AA) ka siguruar nga burimet e besueshme lokale, organizata terroriste YPG/PKK, ka liruar pjesëtarët e DEASH-it dhe familjet e tyre nga Kampi Hol në Haseke të cilin e mban nën okupim, pasi disa fise ndërhynë.
Organizata terroriste në këtë drejtim që nga fillimi i muajit dhjetor liroi 516 pjesëtarë, terroristë të DEASH-it dhe familjet e tyre.
Pasi më 9 tetor Turqia filloi operacionin "Burimi i Paqes", YPG/PKK liroi ose mundësoi ikjen e qindra terroristëve të DEASH-it.
Në deklaratën nga Ministria turke e Mbrojtjes më 17 nëntor, thuhej se organizata terroriste PKK/YPG kishte liruar të paktën 800 pjesëtarë të DEASH-it nga burgu në Tal Abyad.
- Kampi Hol
YPG/PKK në kampin që e formoi në prill të vitit 2017 në qytezën Hol, mban civilët që kanë ikur nga përleshjet me organizatën terroriste DEASH në Dejrizor si dhe disa pjesëtarë të DEASH-it dhe familjet e tyre.
Civilët, të mbajtur nga organizata terroriste në këtë kamp jetojnë në kushte çnjerëzore.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatat joqeveritare shpesh herë paralajmërojnë se gjendja humanitare në kampin Hol po përkeqësohet dhe kërkojnë qasje në qendrat ku mbahen militantët e DEASH-it.
Sipas OKB-së, në kampin me kapacitet prej 10 mijë personash jetojnë mbi 70 mijë persona, nga të cilët mbi 90 për qind janë gra dhe fëmijë.
Në kampin Hol gjenden disa mijëra luftëtarë terroristë të huaj nga rreth 50 shtete si dhe terroristë nga Siria dhe Iraku.