Recep Şakar
09 Dhjetor 2019•Përditësim: 09 Dhjetor 2019
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të vullkanit në Zelandën e Re të hënën, konfirmoi policia, raporton Anadolu Agency (AA).
Shumë të tjerë u plagosën nga hiri i dendur i vullkanit në Ishullin e Bardhë (Whakaari), thuhet në deklaratën e policisë, ndërsa një numër të tjerë ende llogariten si të zhdukur.
Të plagosurit janë dërguar në spitalin Whakatane dhe spitalin Middlemore, tha policia.
"Ne vazhdojmë të punojmë sa më shpejt të jetë e mundur përmes një numri kanalesh informacioni për të konfirmuar numrat e saktë të atyre që janë prekur, përfshirë edhe ata që kanë mbetur në ishull", shton deklarata.
Si zelandezët ashtu edhe turistët e huaj besohet se janë prekur nga shpërthimi, sipas deklaratës.
Shpërthimi filloi në ora 14:30 sipas kohës lokale të hënën.
Policia e Zelandës së Re më parë tha se kishte më pak se 50 njerëz në ose afër ishullit në kohën e shpërthimit.
Autoritetet këshilluan banorët në rajon të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mbyllin dritaret e tyre.
Vullkani shpërtheu për herë të fundit në vitin 2001.