Cuneyt Davut
11 Prill 2016•Përditësim: 12 Prill 2016
IDOMENI (AA) - Sot ka patur përleshje mes arabëve sirianë dhe kurdëve irakianë në kampin e refugjatëve në Idomeni, që gjendet në afërsi të kufirit greko-maqedonas, raporton Anadolu Agency (AA).
Përleshja filloi pasi që rreth 80 sirianë i sulmuan vagonët të papërdorshëm ku ishin duke qëndruar refugjatët kurdë, përplasja e cila zgjati një orë. Gjithashtu gjatë përleshjes është djegur edhe një tendë e kurdëve irakianë.
Një refugjat i cili ishte pjesë e përleshjes por nuk u identifikua, pretendoi se përleshja ka nisur pasi që një mashkull sirian ka fyer një vajzë kurde irakiane. Ndërkohë, një refugjatë tjetër tha se përleshja në fjalë ka filluar për shkak se irakianët ditën e djeshme nuk kanë ardhur me ta në kufirin pavarësisht marrëveshjes së mëparshme.
Përleshja, shkaku i së cilës nuk dihet qartësisht, përfundoi me ndërhyrjen e policisë. Në përleshje kishte edhe disa të plagosur dhe situata mbeti e tensionuar për një kohë të gjatë.
Rreth 12 mijë refugjatë të cilët gjenden në kampin në Idomeni, ku që një muaj presin të hapet kufiri, vazhdojnë të luftojnë për jetesën në kushte të rënda.
Dje rreth 2 mijë refugjatë kishin bërë përpjekje që të hyjnë ilegalisht në Maqedoni, ku me ndërhyrjen me gaz lotsjellës të policisë maqedonase u pengua hyrja. Ndërsa 23 forca të sigurisë të Maqedonisë ishin plagosur.