Zülfiya Yakup
06 Dhjetor 2016•Përditësim: 07 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA)- Ministria e Financave e Kosovës në bashkëpunim me Bankën Botërore (BB) është duke zhvilluar takime lidhur me konsultimet për strategjinë e partneritetit të Bankës Botërore me Kosovën, raporton Anqadolu Agency (AA).
Në takimin e zhvilluar sot marrin pjesë ministri i Financave, Avdullah Hoti, drejtoresha e Bankës për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Ellen Goldstein, menaxheri i zyrës së BB-së në Prishtinë, Marco Mantovanelli, si dhe zyrtarë tjerë të Bankës Botërore dhe kabinetit qeveritar.
Ministri Hoti, deklaroi se prej anëtarësimit të Kosovës në BB në vitin 2009, vendi ka marrë shumë grante dhe projekte nga fusha e shëndetësisë, arsimit, energjetikës, ambientit jetësor, blegtorisë dhe një sërë projektesh në fusha tjera të jetës shoqërore.
Hoti tha gjithashtu se pas analizave në nivel qeveritar, BB-ja ka përpiluar një kornizë për prezantimin e sotëm për periudhën 2017-2021 që përfshinë tetë objektiva specifike.
"Aktualisht kemi identifikuar tre projekte të veçanta që pritet të hyjnë në fuqi gjatë vitit 2017, që do të kontribuojnë në sigurimin e ujit dhe rehabilitimin e kanalit Ibër-Lepenc, rregullimin e ujërave nëntokësore dhe zhvillimin e bujqësisë dhe konkurreshmërinë e produkteve nga Kosova", tha ministri Hoti.
Sipas ministrit, Kosova ka një portfoilio me BB-në me vlerë prej 400 milionë dollarë dhe shumica e këtyre fondeve janë grante.
Ai shtoi se që nga viti 2012, dhe si rezultat i zhvillimit të vendit, një pjesë e rëndësishme e financimit nga Banka Botërore filloi të kanalizohet si një huamarrje me kushte shumë të favorshme.
Drejtuesja e Bankës për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Ellen Goldstein tha se Kosova nuk do të ketë gjithmonë qasje shumë të favorshme në financimin e BB-së prandaj apeloi për shfrytëzim të mençur.
“Jemi këtu për të kryer analiza dhe konsultime me institucionet e Kosovës, me dhomat e tregtisë dhe ato të shoqërisë civile për të kuptuar më mirë nevojat e Kosovës si dhe të ndihmojmë më mirë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës”, tha ajo për të shtuar se popullata e re është një avantazh i madh i Kosovës në raport me vendet e tjera, dhe tani duhet punuar në drejtim të rritjes së investimeve dhe shtimin e eksporteve.