Tuba Onğun
29 Prill 2022•Përditësim: 01 Maj 2022
Banka Qendrore e Rusisë uli sot normën bazë të interesit me 300 pikë bazë, duke parë hapësirë për ulje të mëtejshme këtë vit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Norma e interesit u ul nga 17 për qind në 14 për qind, njoftoi banka.
Duke theksuar se mjedisi i jashtëm për ekonominë ruse mbetet sfidues me aktivitet ekonomik të kufizuar ndjeshëm, banka tha: "Me rreziqet e çmimeve dhe stabilitetit financiar që nuk janë më në rritje, kushtet kanë lejuar uljen e normës bazë".
Banka nënvizoi se për mbledhjet e ardhshme do të ketë parasysh dinamikat aktuale dhe të pritshme të inflacionit në raport me objektivin dhe proceset e transformimit ekonomik, si dhe rreziqet që vijnë nga kushtet e brendshme dhe të jashtme dhe reagimi i tregjeve financiare.
"Nëse situata zhvillohet në përputhje me parashikimin bazë, Banka e Rusisë sheh hapësirë për uljen e normës bazë në vitin 2022", thuhet më tej.
Në takimin e mëparshëm, banka gjithashtu uli normën në 17 për qind nga 20 për qind pas rritjes dramatike të shkurtit nga 9,5 për qind në mes të sanksioneve për shkak të luftës së saj ndaj Ukrainës.