Figen Shaban
18 Prill 2018•Përditësim: 19 Prill 2018
PRISHTINË (AA) - Hapet “Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar – Prishtina 2018” i cili organizohet në datat 18-21 prill nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në panairin që organizohet në Qendrën e Panaireve në fshatin Bërnicë në rrugën magjistrale Prishtinë - Mitrovicë marrin pjesë mbi 170 ndërmarrje nga Kosova, rajoni dhe vendet e Evropës.
Pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes së panairit ishin edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani, kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe të misioneve diplomatike në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në fjalën e tij në këtë ceremoni tha se përmes kësaj ngjarjeje po promovohen vlerat e ndërmarrësisë kosovare e rajonale dhe vlerat e rrugëtimit të vendit drejtë familjes evropiane. Sipas tij pjesëmarrësit e panairit që kanë guximin të ndajnë politikën nga biznesi kanë bërë hapa shumë më të avancuar se sa politika dhe dialogu politik.
"Është e vërtet që axhenda politike në vitet e fundit në njëfarë forme i ka lënë nën hije proceset ekonomike, por dua të besoj që aktivitetet e tilla po e kthejnë besimin në ardhmëri, në sektorin privat dhe në vlerat e ndërmarrësisë jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit dhe më gjerë", tha Gërxhaliu.
Ai duke theksuar se me këtë panair Prishtina është shndërruar në kryeqytet i Ballkanit Perëndimor sa i përket aktiviteteve ekonomike, tha se pjesëmarrës janë kompanitë nga sektorët elementare për ardhmërinë e rajonit nga ndërtimtaria, prodhimtaria, telekomi dhe IT-ja.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, duke ftuar të gjitha kompanitë ato vendore dhe ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë, tha se në këto 10 vitet e fundit të Kosovës së pavarur fokusi kryesorë i politikës ka qenë ndërtimi i një Kosove demokratike, shumëetnike dhe sekulare.
Duke nënvizuar se duhet forcuar biznesin vendor në bashkëpunim ekonomik me vendet e rajonit vendet evropiane dhe vendet e tjera të botës, Hoxhaj tha se një shoqëri e fortë mund të ndërtohet vetëm kur ka një ekonomi të fortë'.
"Ky do të jetë një prioritet i yni i cili ka të bëjë me përmirësimin e gjendjes ekonomike, me krijimin e vendeve të reja të punës, por i cili përfundimisht ka të bëjë edhe me integrimin në Evropë. Integrimi në Evropë natyrisht që është prioritet i politikës, por është edhe pasojë e zhvillimit ekonomik", tha Hoxhaj.
Arben Ferizi, njëri nga menaxherët e një kompanie pjesëmarrëse e panairit tha se marrin pjesë në panair prej 5-6 vite radhazi. Ai u shpreh se qëllimi i pjesëmarrjes në këtë panair është që të jenë sa më afër konsumatorit duke adresuar edhe qëllimin tjetër që është krijimi i kontakteve me distributorët e vendeve të ndryshme të rajonit.
"Shpresojmë se panairi 'Prishtina 2018' do të na jap më shumë se panairet e kaluara sidomos rreth krijimit të kontakteve dhe njoftimit me ndonjë distributor të mundshëm në shtetet fqinjë", tha Ferizi.
Ndërsa, njëri nga pjesëmarrësit e panairit dhe përfaqësuesi i biznesit turk, Umit Yildiz duke theksuar se janë një kompani që prodhojnë sisteme të filtrimit elektrostatike për restorante dhe hotele, tha se: "Dëshirojmë që pas Turqisë të vazhdojmë biznesin edhe këtu. Është dita e parë në panair, jemi të kënaqur që jemi pjesëmarrës".