Bekim Laci
14 Prill 2016•Përditësim: 14 Prill 2016
SHKUP (AA) - Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore (OEMVP) ka reaguar sot në lidhje me ngjarjet e fundit politike dhe thellimin e krizës politike në vend, e cila sipas saj, do të sjellë në situatë edhe më të rëndë funksionimin e biznesit por edhe sistemin ekonomik në tërësi, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne si përfaqësues të komunitetit të biznesit nuk mund të jemi indiferent dhe të fshihemi sikur asgjë nuk po ndodhë”, thuhet në reagimin e OEMVP-së nga ku thonë se reagojnë në vendimet e fundit të pamatura politike, që "cenojnë direkt sundimin e ligjit, pa të cilin nuk mund të flasim për funksionim të shtetit e jo më për mundësinë e të bërit biznes”.
OEMVP-ja bën thirrje për ndalim të “lojërave politike” ku një ditë del zëvendës ministri për të deklaruar një gjë, kurse ditën tjetër del vetë ministri për të deklaruar të kundërtën e të parit, sepse këto veprime të pushtetit do të sjellin në situatë edhe më të rëndë funksionimin e biznesit por edhe sistemit ekonomik në tërësi.
“Ne nuk flasim për efekte imediate të cilat do ti sjellë kjo katrahurë e stërzgjatur politike, por në afat të mesëm jo që mundet, por me siguri që do të bart me vete stagnim ekonomik. Madje, gjasat janë shumë të mëdha që të fillojë edhe cikli i regresit ekonomik në vend. Ne ndajmë mendimin që kësaj krize politike mund ti paraprijnë skenare, të cilat nuk do ti dëshironte asnjëri", thuhet në reagimin e OEMVP-së, nga ku i bëjnë thirrje presidentit të Republikës së Maqedonisë që të tërheq vendimin e tij për abolim pa asnjë vonesë.
“Në të kundërtën gjykojmë që mos tërheqja e vendimit do të bëj një precedent i cili do ti hedh poshtë të gjitha parimet demokratike të funksionimit të një shteti”, thuhet në reagimin e OEMVP-së.