Admir Fazlagikj
14 Qershor 2017•Përditësim: 15 Qershor 2017
SHKUP (АА) - Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) dhe Oda Tregtare e Hungarisë kanë nënshkruar të mërkurën një memorandum bashkëpunimi i dalë nga nevoja për avancim të mëtejshëm të veprimtarisë ekonomike në rajonin Veri-perëndimor dhe nga nevoja për thellimin e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas nënshkrimit të memorandumit pas takimit të delegacioneve të të dy dhomave, kreu i OEMVP-së, Nebi Hoxha tha se ky memorandum do t'u mundësojë kompanive që janë anëtare të odave të bashkëpunojnë në mënyrë më të koordinuar, ndërkohë që biznesi i tyre do të fitojë garanci.
"Sot kemi vënë theksin te disa pika nga sfera e tregtisë dhe te lehtësimi që kërkohet nga bizneset, që të njëjtat më vonë të mund ti parashtrojmë në adresë të autoriteteve të vendit që aktualisht janë duke përpiluar programin e tyre”, tha Hoxha.
Siç tha ai, në takim fokusi është vënë te disa sektorë, kryesisht në sektorin e shërbimeve komunale, në fushën e farmaceutikës, ndërsa janë shqyrtuar edhe mundësitë për eksport të mobileve nga Maqedonia në Hungari.
Ambasadori i Hungarisë në Maqedoni, Laszlo Duks, tha se tregtia e jashtme mes Maqedonisë dhe Hungarisë është në rritje, dhe sa i përket pjesës veriperëndimore të Maqedonisë, ajo ka shumë më shumë potencial.
"Ne shpresojmë që ky bashkëpunim do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit të kompanive hungareze me ato maqedonase dhe shqiptare në këtë territor. Hungaria nuk është larg, kemi një linjë të drejtpërdrejtë Shkup - Budapest. Për më tepër, ky bashkëpunim do të kontribuojë në marrëdhëniet e mira mes kompanive në këtë rajon dhe në Hungari", tha ambasadori Duks.
Sipas Zyrës së Statistikave të Hungarisë, shkëmbimi i përgjithshëm ekonomik mes Maqedonisë dhe Hungarisë është 252 milionë euro, ndërsa është e dukshme rritja në shkëmbimin tregtar që është mbi 45 për qind më shumë se në vitin 2015.