Kemal Karadağ
27 Qershor 2018•Përditësim: 28 Qershor 2018
ANKARA (AA) - Kreu i Bordit drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i Anadolu Agency (AA), Şenol Kazancı, tha se me sukses kanë kryer detyrën e tyre në informimin e opinionit.
Kazancı dha deklaratë në lidhje me transmetimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale dhe të 27-tat parlamentare nga AA-ja.
Ai theksoi se pas vendimit të marrë për zgjedhje kanë bërë punimet e nevojshme për shpërndarjen e rezultateve me të gjitha mediat. Kazancı deklaroi se televizionet lokale i kanë mbështetur duke përgatitur 'ekrane zgjedhore', ndërsa mediave u kanë shpërndarë CV-të dhe fotografitë e të gjithë deputetëve.
"Opinioni botëror është informuar me informacione të çastit"
Kazancı më tej potencoi se gazetarët e AA-së që janë me detyrë në të gjitha qytetet dhe qarqet e Turqisë me imazhe shumëngjyrëshe u kanë transmetuar abonentëve atmosferën e zgjedhjeve që nga hapja e kutive të votimit e deri në orët e vona.
"Agjencia jonë kombëtare e cila vepron në fushën ndërkombëtare, ka njoftuar në mënyrë të shpejtë dhe të saktë Turqinë dhe botën për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe të 27-tat parlamentare", u shpreh Kazancı.
Kreu i Bordit drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i AA-së tha se opinionin botëror e kanë informuar me informacione të çastit për zgjedhjet në 12 gjuhë përveç turqishtes.
"Me sukses kemi kryer detyrën tonë në informimin e opinionit. Kemi ndjekur dhe prodhuar lajme për festën e demokracisë të cilën Turqia e përjetoi në 24 qershor me të gjitha aspektet dhe të gjitha ngjyrat e saj. Gjithashtu kemi mbrojtur me sukses sistemin tonë nga sulmet kibernetike të cilat filluan para nisjes së transmetimit për zgjedhje, me ç'rast kemi mbrojtur të drejtën e opinionit për t'u informuar", tha ai.
Kazancı gjithashtu falënderoi personelin e AA-së për shkak të suksesit gjatë zgjedhjeve.