Besar Ademi
20 prill 2016•Përditësim: 21 prill 2016
SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë të Shkupit me sloganin “Nuk ka drejtësi, nuk ka qetësi”, edhe sonte vazhduan me protestat përmes të cilave nga e marta e kaluar shprehin revoltën e tyre ndaj vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve, si dhe për tërheqjen e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e organizuar nga dhjetëra organizata joqeveritare kërkuan dorëheqjen e presidentit Ivanov, si dhe formimin e qeverisë kalimtare për zbatimin e plotë të prioriteteve reformuese nga raporti i Pribesë. Protestuesit shprehen se fillimi i procesit për përzgjedhjen e qeverisë së ekspertëve do të përgatisë terrenin për zgjedhje të lira dhe demokratike, si dhe do të mundësojë që politikanët dhe pushtetarët të ballafaqohen me drejtësinë për veprat e bëra penale.
Protesta filloi me tubim para Prokurorisë Speciale Publike në shenjë mbështetje për punën e saj dhe vazhduan drejt Kuvendit të Maqedonisë për të përfunduar para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë. Protestuesit pasi arritën tek ndërtesa e Qeverisë u drejtuan drejt Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku kordoni policor nuk lejoi t’i afrohen ndërtesës dhe protestuesit iu përgjigjën duke sulmuar ndërtesën me vezë dhe ngjyrë.
Protestat në qytetin e Shkupit filluan që nga e marta e kaluar, kur presidenti Ivanov solli vendimin për faljen e politikanëve, ndërsa nga dita e djeshme përveç se në kryeqytetit e Maqedonisë, protesta janë mbajtur edhe nëpër qytete të tjera të vendit.