Ekip
26 Maj 2020•Përditësim: 27 Maj 2020
Sipas një sistemi të ri të raportimit, Spanja së fundmi ka raportuar 35 vdekje nga koronavirusi i ri (COVID-19) të regjistruara gjatë shtatë ditëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nëse të dhënat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë krahasohen, kjo shifër do ta bënte Spanjën një nga vendet më të suksesshme të Evropës në kontrollin e virusit.
Dje, Italia raportoi 92 vdekje ditore nga koronavirusi, Franca raportoi 93 dhe Belgjika 32. Sot, Mbretëria e Bashkuar raportoi 134 vdekje ditore.
Këtë javë, ministria spanjolle përditësoi mënyrën e raportimit të të dhënave të vdekjeve të konfirmuara. Kjo mënyrë po ashtu korrigjoi numrin e përgjithshëm të vdekjeve në Spanjë, gjegjësisht në 27.117 nga pothuajse 29 mijë sa u raportua këtë fundjavë.
Fernando Simon, shefi epidemiolog i Spanjës, dje në një konferencë për media tha se kjo mënyrë e re e raportimit jep një pamje më të përditësuar dhe të sakt të ngjarjeve.
Më parë, tha Simon, shifrat ditore të vdekjeve në Spanjë ishin të lidhura me lajmërime, por lajmërimet mund të vijnë ditë apo javë pas vdekjes.
Kështu që vendi tani po zgjedh të raportojë brenda javës vetëm numrin e vdekjeve të reja të konfirmuara, jo vetëm të lajmëruara.
Dje, Ministria e Shëndetësisë raportoi 50 vdekje të konfirmuara gjatë shtatë ditëve të fundit.
Pavarësisht numrave relativisht pozitive, shifrat e vjetra të vendit treguan një pamje të zymtë të numrit të jetëve të marra nga virusi tek popullata në pension në Spanjë.
Sipas Ministrisë së Sigurimeve Shoqërore, fatura e pensionit në vend shënoi një rënie prej 0,27 për qind. Pati 38.500 persona më pak që morën përfitimin në muajin maj krahasuar me muajin prill.
Sot, Spanja në 24 orët e fundit raportoi 194 raste të tjera të diagnostikuara, ndërsa në total numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara është 236.259. Ministria e Shëndetësisë nuk jep më të dhëna lidhur me numrin e pacientëve të shëruar.
Spanja ka kaluar nga një prej bllokimeve më të rrepta në botë në një rihapje graduale. Qeveria e vendit aktualisht po përpiqet të shpëtojë sezonin e turizmit veror.
Dje, vendi njoftoi se do të heq karantinën për vizitorët që do të vizitojnë vendin nga 1 korriku.