Bekim Laci
20 Dhjetor 2015•Përditësim: 21 Dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Dekorimi i qytetit ka përfunduar dhe Shkupi është i gatshëm për pritjen e Vitit të Ri nën reflektimin e ndriçimit të vendosur. Bredhi kryesor në sheshin Maqedonia është i gjatë 18 metra ndërsa është i ndriçuar me 50 mijë llamba, 250 ndriçuese blic dhe 60 figura të ndryshme.
Përveç sheshit kryesorë ku sipas traditës mbahet manifestimi tradicional për ndërrimin e motmoteve që kulmon me ndezjen e fishekzjarrëve në mesnatë, edhe sheshet e vogla dhe rrugët e qytetit kanë marrë shkëlqimin nga dekorimi i shumtë ndriçues, që paraqet një atraksion të vërtetë për qytetarët e shumtë të cilët i regjistrojnë këto pamje mbresëlënëse në celularët e tyre dukë bërë fotografi.
Viteve të fundit po shndërrohet në traditë edhe dekorimi i shtëpive private për çka tanimë ekziston organizimi tradicional "Ngjyrat e Vitit të Ri të Shkupit", një konkurs i organizuar nga administrata e Qytetit ne të cilën motivohen banorët e kryeqytetit për të dekoruar shtëpitë dhe zyrat e tyre dhe të kontribuojnë kështu në zbukurimin e ambientit festiv të qytetit.
Ndërkohë, dekorimet më të mira do të shpërblehen.