Admir Fazlagikj
20 Gusht 2016•Përditësim: 20 Gusht 2016
SHKUP (АА) - Sot pasdite filloi maratona e 30-të ndërkombëtare e notit në Ohër, raporton Anadolu Agency (AA).
Të gjithë tetëmbëdhjetë garuesit e paraqitur sot në mesditë notuan në ujërat e Liqenit të Ohrit në Shën Naum, me çka shënuan fillimin e maratonës së 30-të ndërkombëtare të notit në Ohër. Tetë notues dhe po aq notuese nga shtatë shtete duhet të notojnë 30 kilometra, aq sa është i gjatë shtegu 'Klime Savin", nga Shën Naumi përmes 11 pikave kontrolluese deri tek caku që është porti i Ohrit.
Ekspedita e notuesve të Maqedonisë këtë vit përbëhet nga fituesi i vitit të kaluar Evgenij Pop-Acev, së bashku me Tomi Stefanovski dhe Aleksandar Ilievski. Favoritë për fituesit e maratonës jubilare të notit janë Pop-Acev, Eduardo Stokino nga Italia dhe Damien Blaum nga Argjentina. Ata do të përpiqen për të thyer rekordin e notuesit francez Raymond Aksel (5:09:54) nga viti 2013.
Maratona e Ohrit e cila mbahet nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, është një garë e zakonshme në serinë "Grand Prix" të Federatës Botërore të Notit (FINA) dhe është ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare në vend.
Fondi shpërblyes i maratonës në Ohër arrin në dhjetë mijë dollarë. Organizatore është Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA), ndërsa Organizatore teknike është Federata e Notit të Maqedonisë e mbështetur nga Agjencia për Rini dhe Sport dhe Komuna e Ohrit.
Në FINA vlerësimi përcaktohet në bazë të shumës së fondit, kështu që fituesi i garës së ardhshëm të notit në Ohër përveç se do të fitojë 10 mijë dollarë, ai gjithashtu do të marrë edhe 15 pikë në llogarinë e tij, i dyti 11 pikë, i treti 9 pikë, i katërti 7 pikë ... i teti 3 pikë. Çdo garues që do të notojë maratonën brenda afatit kohor të përcaktuar prej gjysmë ore pas arritjes së fituesit në cak, merr dy pikë.
Maratona e notit në Ohër mbahet vazhdimisht që nga viti 1992, ndërsa maratona e parë zyrtare në Ohër është mbajtur në vitin 1962 në shtegun Peshtani - Strugë - Ohër, në gjatësi prej 36 kilometrash. Fituesi i maratonës së parë ishte egjiptasi Abu Heif, ndërsa vendi i tretë i takoi vendasit Diki Bojaxhi, ndërsa në konkurrencën e femrave pati fituar motra e tij Atina Bojaxhi.