Besar Ademi
13 Prill 2016•Përditësim: 13 Prill 2016
SHKUP (AA) – Qindra qytetarë mbrëmjen e së martës protestuan në disa lokacione të qytetit të Shkupit kundër vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, për të falur zyrtarët e pushtetit dhe opozitës të cilët ndiqen penalisht, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi i parë i protestuesve u mblodhën para Prokurorisë Publike Speciale të cilës i dhanë përkrahje për të vazhduar hetimet e saj dhe më pas marshuan në Zyrën Kombëtare të presidentit Ivanov në qendër të qytetit.
Grupi më i madh i protestuesve u mblodh para selisë së partisë në pushtet, VRMO-DPMNE-së, ku dhe hodhën vezë dhe mjete të forta në drejtim të ndërtesës, mirëpo kordoni policor nuk lejoi që t’i afrohen ndërtesës.
Protestuesit me sloganet “Bashkohuni me ne, mos qëndroni kundër popullit”, “Aty ku nuk ka drejtësi, nuk ka qetësi” kërkonin tërheqjen e presidentit Ivanov nga posti presidentit, sepse sipas tyre vendimi i tij ligjëron shoqatën kriminale.