Fatjon Cuka
22 Tetor 2015•Përditësim: 23 Tetor 2015
TIRANË (AA) - Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein po zhvillon një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot raportuesin për Shqipërinë pranë PE-së, Knut Fleckenstein i cili shoqërohej prej ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin.
Meta theksoi gjatë takimit se duhet përfunduar sa më shpejt procesi i dekriminalizimit për t’i hapur rrugë fokusimit të plotë në reformën e sistemit të drejtësisë, procesi i cili kërkon gjithë përfshirje dhe qëndrueshmëri. Në të dy proceset, u shpreh Meta, “ne vlerësojmë kontributin dhe opinionet e Komisionit të Venecias”.
Nga burimet zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë mësohet se Fleckenstein u shpreh se Parlamenti Evropian e vlerëson progresin e Shqipërisë dhe mbetet në pritje të Progres Raportit të Komisionit Evropian i cili pritet të ofrojë vlerësime pozitive dhe rekomandime të mëtejshme për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, ku thelbësore do të jetë reforma në drejtësi, pa të cilën nuk mund të ketë progres të vendit.
Knut Fleckenstein ka zhvilluar takime pa praninë e medias, me ministrat e kabinetit qeveritar, Saimir Tahiri dhe Klajda Gjosha.
Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë bëhet e ditur se në këtë takim mes ministrit Tahiri dhe Fleckenstein u diskutuan arritjet e këtij institucioni dhe Policisë së Shtetit gjatë këtij viti në luftën kundër narkotikëve, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu, ministri Tahiri dhe eurodeputeti Fleckenstein folën mbi reformat e deritanishme të ndërmarra nga mazhoranca dhe punën për plotësimin e angazhimeve në kuadër të integrimit evropian, më e rëndësishmja prej të cilave është reforma në drejtësi.
Fleckenstein nesër në zyrat e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, pritet të mbajë një konferencë për mediat.