Ekip
27 Shkurt 2016•Përditësim: 28 Shkurt 2016
DUBLIN (AA) – Sondazhet e hollësishme të daljes pas zgjedhjeve në Republikën e Irlandës, tregojnë se shumica e votuesve ia kthyen shpinën qeverisë së koalicionit të kryeministrit Enda Kenny dhe parlamenti irlandez mund të mbetet pa shumicën e nevojshme apo mundësinë e krijimit të aleancës historike në mes të palëve me bindje të kundërta politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Sondazhi të cilin e bëri kryetransmetuesi kombëtar irlandez RTE dhe që u publikua të shtunën në mëngjes, pritet të marrë konfirmimin e saj të dielën, kur të përfundojë numërimi i votave.
Sipas sondazhit, partia e Kenny-t, Fine Gael ka fituar 24.8 përqind të votave preferenciale, që është shumë më pak nga sa pritej gjatë fushatës zgjedhore që zgjati tre javë. Rivali i tyre më i madh, Fianna Fail fitoi 21.1 përqind të votave.
Fine Gael dhe Fianna Fail mbajnë qëndrime të kundërta që nga lufta civile në vitin 1922 dhe 1923 pas së cilës Irlanda fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe. Këto dy parti asnjëherë nuk kanë formuar qeveri së bashku dhe sipas Kennny-t dhe rivalit të Micheal Martin, liderit të Fianna Fail, kjo nuk do të ndodhë as këtë herë.