Bekim Laci
04 Dhjetor 2015•Përditësim: 04 Dhjetor 2015
SHKUP (AA)- Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka pritur sot në një takim kryetarin e Dhomës së deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Jan Hamaçek, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim, siç thuhet në njoftimin e kabinetit presidencial është diskutuar rruga e zhvillimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh, për prioritetet e politikave të Maqedonisë, si dhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë.
Presidenti Ivanov ka përshëndetur bashkëpunimin ndër-parlamentar duke theksuar rëndësinë e kësaj në drejtim të forcimit të marrëdhënieve miqësore dhe ndërtimit të ndërsjellë.
Sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO, Ivanov ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e qartë dhe ka ngjallur shpresën se në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Varshavë, Çekia me të njëjtin intensitet do të mbështesë përpjekjet për të zhbllokuar integrimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.
Në takim janë shkëmbyer mendime edhe mbi zhvillimet aktuale në Evropën Qendrore dhe Juglindore. "Duke marrë parasysh rrezikun në rritje nga sulmet terroriste, të dy ranë dakord se kjo kërkon bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar dhe vendosjen e komunikimit dhe koordinimit më të mirë ndërmjet të gjitha vendeve në luftën kundër terrorizmit", ka qenë kostatimi i të dy bashkëbiseduesve.