Nazmi Abduramani
28 Mars 2016•Përditësim: 29 Mars 2016
SHKUP (АА) – Anketuesit e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoni sot kanë filluar kontrollin në terren të listës zgjedhore. Në këtë listë gjenden 100.436 shkresa kontradiktore të shpërndara tek 89.383 qytetarë në të gjitha 80 komunat e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas këshilltares së KSHZ-së, Lupka Guguçevska, në terren kanë dalë 488 anketues dhe nëse është e nevojshme KSHZ do të angazhojë numër shtesë për të rritur efikasitetin e procesit.
Me anketuesit në terren janë edhe vëzhguesit e katër partive politike të cilët, siç pohoi Guguçevska, nuk kanë të drejtë të hyjnë në komunikim me personat të cilët anketohen gjatë kontrollit në terren.
Në kontaktin me qytetarët duhet të identifikohen me kartelë identifikimi nga KSHZ-ja dhe me autorizim të nënshkruar nga kryetari i KSHZ-së.
“KSHZ-ja është në komunikim të vazhdueshëm me zyrat rajonale dhe nga afër e ndjek procesin. Deri më tani nuk ka informacion për problem në terren, por informacione shtesë priten nga fundi i ditës kur të përfundojë anketimi dhe kur materialet do t’u dorëzohen kontrollorëve në njësitë rajonale të KSHZ-së”, tha Guguçevska.